Bugaqku: Kuvendi po trajtohet si pronë e një partie politike

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka reaguar lidhur me dështimin e seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se seanca e sotme konstituive është tregues i qartë që nuk është përmbushur detyrimi kushtetues për të konstituar Kuvendin e Kosovës në frymën e bashkëpunimit, mirëbesimit dhe kompromisit mes subjekteve politike parlamentare.

Bugaqku ndër të tjera tha se Kuvendi po trajtohet si pronë e një partie politike, kurse kryesuesi i seancës sipas tij po sillet si noter i vullnetit të saj.

“Seanca e sotme konstituive tregoi qartë se nuk u përmbush detyrimi kushtetues për të konstituar Kuvendin në frymën e bashkëpunimit, mirëbesimit dhe kompromisit mes subjekteve politike parlamentare. Sot, përsëri u propozua një kandidat që nuk gëzon mbështetjen e nevojshme të deputetëve, ndërsa kryesuesi, në vend që të lejonte kandidatura të tjera dhe të çonte procesin përpara, zgjodhi ta mbyllë seancën në mënyrë arbitrare. Ky veprim nuk është thjesht një gabim procedural, por përbën një obstruksion të hapur dhe të qëllimshëm ndaj konstituimit të Kuvendit. Për më keq, Kuvendi po trajtohet si pronë e një partie politike, ndërsa kryesuesi i seancës po sillet si noter i vullnetit të saj”, ka shkruar Bugaqku. /21Media

Back to top button