“Buka e UÇK-së” flet për logjistikën e grupit “Mërgimi”

Vëllau i heroit Ilir Konushevcit, Artoni fajësoi institucionet e Kosovës që nuk kanë zbardhur tash e 19 vjet rrethanat e vrasjes së vëllait

Me rastin e 19 vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci “Mërgimi”, sot në Prishtinë u shfaqë premiera e dokumentarit “Buka e UÇK-së” – Historia e Grupit të Logjistikës “Mërgimi”, i autorit Vangjel Kule.

Bashkëluftëtarët e Grupit “Mërgimi”, vlerësuan lartë luftën e këtij grupi për liri, të cilët patën për mision furnizimin me armë dhe municion nga Shqipëria për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.

Ish-komandanti i logjistikës “Mërgimi”, Gani Nuha me këtë rast tha se ky dokumentar është për të dëshmuar se kush ishte Ilir Konushevci dhe grupi “Mërgimi” dhe po ashtu për ta dëshmuar sinqeritetin dhe atdhetarizmin  e këtyre luftëtarëve.

Një fjalë rasti për grupin që solli armatim për UÇK-në ka mbajtur edhe njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të heroit, Ilir Konushevci dhe ish komandanti i   Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Ai tha  se këta djem që po kujtohen sot kanë bërë angazhime për ardhjen e lirisë së Kosovës. Sipas tij, rrugëtimi i shqiptarëve për liri është i gjatë, dhe djemtë e UÇK-së janë brezi i fundit për liri, edhe pse Haradinaj tha se liria e Kosovës ende nuk është e plotë. Sipas tij  ata që e rrezikuan lirinë, ende po vazhdojnë me qenë rrezik për Kosovën.

Me një fjalë rasti për grupin “Mërgimi” u paraqit edhe Gafurr Elshani, i cili me këtë rast vlerësoi rëndësinë e logjistikës së këtij grupi. “Mërgimi” si grup i koordinuar kishte për qëllim grumbullimin dhe furnizimin me armatim për pjesëtarët e UÇK-së, ku financimi i këtij armatimi ishte bërë kryesisht nga diaspora. Ai tregoi se personazhet e këtij dokumentari i kishte njohur personalisht shumë kohë para se të fillonte lufta në Kosovë,  si bashkëveprimtar në tubime dhe demonstrata.

Ndërsa, vëllai i Ilir Konushevcit, Arton Konushevci tha se ndihet mirë si familje për këtë dokumentar në të cilin është edhe Iliri, por theksoi se ndihen keq si familjarë që nuk është zbardhur ende vrasja e Ilirit në Shqipëri. Ai fajësoi institucionet e Kosovës nuk kanë zbardhur tash e 19 vjet rrethanat e vrasjes së vëllait të tyre.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998 atje ku më se paku pritej, në një pritë të organizuar së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Ndryshe, Vangjel Kule është regjisor i filmit dokumentar “Buka e UÇK-së”.

Back to top button