Bullgaria rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Partia liberale bullgare nuk arriti të gjente një shumicë në parlament për të formuar një qeveri dhe udhëheqësi i saj ia ktheu mandatin presidentit Rumen Radev, duke e sjellë vendin më pranë zgjedhjeve të reja – të katërtat në pak më shumë se një vit.
Kryeministri i emëruar Assen Vassilev, i cili është bashkëkryetar i partisë reformiste “We continue the change” kishte një javë për t’i dhënë fund krizës së fundit politike të Bashkimit Evropian dhe anëtarit të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë.
Para kthimit të mandatit, Vasilev shpjegoi se partia e tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme për të siguruar një shumicë prej 121 vendesh në parlament për të zgjedhur një kabinet.
“Ne nuk mund të merrnim mbështetjen e nevojshme për të çliruar Bullgarinë nga korrupsioni dhe për ta bërë shtetin të funksionojë për njerëzit, në vend që të kanalizojmë paratë e taksapaguesve në disa kompani të zgjedhura që mund t’i përdorin ato për të korruptuar klasën politike”, tha kryeministri.
Ai shpjegoi se partia e tij kishte arritur të siguronte mbështetjen e 117 ligjvënësve – jo të mjaftueshme për një shumicë parlamentare – dhe shpresonte të mblidhte të paktën katër vende të tjera në zgjedhjet e ardhshme.
Vasilev i arsimuar në Harvard shërbeu si ministër i financave në qeverinë e mëparshme pro-perëndimore që u rrëzua në një votë mosbesimi më 22 qershor.
Përmbysja e qeverisë, e cila mori detyrën dhjetorin e kaluar duke u zotuar për zero tolerancë për korrupsionin, hap rrugën për një zgjedhje të re. Kjo mund të sjellë një prani më të fortë të grupeve nacionaliste dhe pro-ruse në parlament.
Të premten, Radev njoftoi se javën e ardhshme do t’ia dorëzojë mandatin qeveritar partisë së qendrës së djathtë GERB të ish-kryeministrit Bojko Borisov, e cila tashmë ka thënë se do ta kthejë mandatin menjëherë. Në këtë rast, një mandat i tretë dhe i fundit do t’i ofrohet nga presidenti një partie parlamentare të zgjedhur prej tij./21Media

Back to top button