Burgim të përjetshëm për burrin që vrau gruan e tij

Është dënuar me burgim të përjetshëm burri i cili vrau gruan e tij më 6 gusht të vitit 2019, në Prizren.
I dënuari B.V., me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij A.A.-V., duke e qëlluar atë me armë zjarri 14 herë.
“Pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishte me bashkëshorten e tij, tash të ndjerën A.A.-V., e në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, dhe del nga shtëpia e tij, e në momentin kur e vëren viktimën – bashkëshorten e tij A….., i afrohet asaj, e drejton pistoletën në drejtimin e saj, shtënë 15 herë në drejtimin e saj, me ç ‘rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë, nga goditja e predhave viktima rrëzohet për toke, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarje, ku pastaj i pandehuri viktimën e mbulon me një fustan të saj dhe e pret ardhjen e Policisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi, në pika të shkurtra ka arsyetuar dënimin e shqiptuar duke sqaruar se në bazë të provave, mbrojtjes së të akuzuarit, dëshmive të dëshmitarëve dhe të të dëmtuarve, gjykata ka vërtetuar faktet jo kontestuese që kanë sjellur deri tek dënimi i shqiptuar.
Gjykata nuk e ka pranuar mbrojtjen e të akuzuarit se në momentin kritik i është shfaqur një katror i zi, sepse nga raporti i ekspertëve nuk është gjetur ç ‘rregullim apo ndonjë sëmundje e natyrës së shkurtër apo tronditur në momentin e kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë.
Gjatë marrjes së vendimit trupi gjykues ka vlerësuar rrethanat, dhe si rrethana rënduese ka marrë parasysh rrezikun e lartë shoqëror të veprës penale, mënyrën e sjelljes së të akuzuarit pas vrasjes së rëndë ku me gjakftohtësi e mbulon viktimën dhe pret ardhjen e Policisë, dhe intensitetin e rëndë të dhimbjes së familjes së dëmtuar.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button