Burim Ramadani: Dihet kush janë ata që për motive politike e fyen, e poshtëruan Policinë e Kosovës

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë në Lipjan, javën e kaluar, ka kujtuar fushatën e vitit 2007 për promovimin e Policisë së Kosovës, me moton “Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj”, të realizuar nga MPB me mbështetje të OSBE-së.

Ramadani ka thënë se në atë kohë u vendosën për herë të parë shtesat për rrezikshmëri për Njësitë Speciale dhe se shumë zyrtarë policorë kanë kontribuar për ndërtimin e një force profesionale.

“Kosova nuk ka lindur sot. Policia nuk është krijuar sot. Dihet kush e ka fyer, poshtëruar dhe sulmuar Policinë – jo për arsye etnike, por për qëllime politike”, ka shkruar Ramadani ne Facebook.

Tutje Ramadani ka ngritur shqetësime për mungesën e sigurimeve shëndetësore, pagat e ulëta, trajnimet e reduktuara dhe pajisjet e paplota, duke kërkuar mbështetje të plotë për Policinë.

“Fatkeqësisht, policët nuk kanë Sigurime Shëndetësore as sot. Ata dhe ato vuajnë nga pagat më të ulëta, e që rreth 6 vjet më parë kishin pagat më të larta në rajon.
Kohëzgjatja e Trajnimit Bazik është përgjysmuar, sikurse edhe kohëzgjatja e Trajnimit Fushor. Pajisjet individuale të domosdoshme nuk janë të kompletuara, ndërsa ndikimi politik mbi autonominë operacionale të Policisë është konstatuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht amerikanë”, ka shkruar Ramadani.

 

Back to top button