Bytyqi: Bush do ta ketë vendin gjithmonë në historinë e Kosovës

Bytyqi ka shkruar se ish-presidenti Bush ka luajtur një rol të rëndësishëm për paqe

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-presidentit amerikan, George H.W.Bush.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, duke lënë pas modelin e njeriut të dedikuar për paqe, demokraci, zhvillim ekonomik e social për atdheun e tij dhe për mbarë popujt e botës.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish presidentit amerikan, George H.W. Bush. Bush shërbeu si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përkushtuar për vendin e tij, në një periudhë plotë sfida për Evropën dhe mbarë njerëzimin. Ish presidenti Bush luajti një rol shumë të rëndësishëm duke lënë pas modelin e njeriut të dedikuar për paqe, demokraci, zhvillim ekonomik e social për atdheun e tij dhe për mbarë popujt e botës. Familjes Bush asnjëherë nuk i mungoi përkushtimi për Kosovën dhe lirinë e saj. Prandaj, ne do ta mbajmë mend ish presidentin Bush për mbështetjen e parezervë në kohën kur na cënohej ekzistenca. George H.W. Bush do të ketë vendin gjithmonë në historinë e lirisë tonë dhe shtetit të Kosovës! Ngushëllime familjes, miqve, Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, bashkëpunëtorëve dhe mbarë kombit Amerikan.”, ka shkruar ministri Bytyqi.

Në moshën 94-vjeçare ka vdekur ish-presidenti amerikan, George H.W Bush i njohur edhe si Bushi i vjetër. Bush ka vdekur mbrëmjen e së premtes, ka bërë të ditur zëdhënësi i familjes. Ai kishte qenë presidenti i 41-të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989-1993, pasi kishte shërbyer dy mandate si zëvendës president i Ronald Regan. Në muajin prill ai ishte pranuar në spital për kujdes intensiv për shkak të një infeksioni të gjakut, vetëm një javë pas vdekjes së gruas së tij, Barbara Bush, 73 vjeçare./21Media

Back to top button