Bytyqi: Kemi prit një rezultat më të mirë në PISA 2018

Bytyqi deklarohet pas publikimit të rezultateve të testit

Ministri në largim i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një konferencë për media ku janë publikuar rezultatet e testit PISA 2018, ka thënë se rezultatet nuk janë ato që kanë pritur.

Bytyqi ka thënë se për këtë rezultat nuk duhet fajësuar individë, por duhet të gjenden shkaqet e vërteta që quan në këtë rezultat.”Ajo çka ne kemi prit të kemi një rezultat më të mirë, nuk kemi rezultat më të mirë. Nuk janë ato rezultatet të cilat ne do të dëshironim ti kemi sot. Në pjesën e matematikës kemi rritje dhe në pjesën e leximit, në krahasim me vitin 2015. Ajo që është vërejtur është se kemi rënie në shkencë. Ndoshta në rezultat në shkencë ka ndikuar mbajtja e testit në mënyrë digjitale“, tha Bytyqi.

Sipas tij, nëse Qeveria e ardhshme e merr seriozisht këtë test, do të shënohen rezultate më të mira.

Fatmir Elezi nga divizioni për vlerësim, standarde dhe monitorim në MASHT, ka bërë të ditur se në vitin 2018 testit PISA i janë nënshtruar 5 mijë e 58 nxënës nga 211 shkolla të Kosovës.

Ndryshe, Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Madje në disa fusha ka edhe regres.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet./21Media

Back to top button