Cakolli: Abuzime me votimin me asistencë sidomos për gratë dhe të rinjtë

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim në RTV21, ka deklaruar se pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e mbajtura katër vjet më parë. Ai e ka vlerësuar procesin si të qetë dhe pa incidente që mund të kishin cenuar integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve.
Megjithatë, Cakolli ka theksuar se një nga parregullsitë kryesore ka qenë abuzimi me votimin me asistencë, veçanërisht në zonat rurale.
“Ka pasur shumë raste kur votuesit, sidomos gratë dhe të rinjtë, kanë kërkuar asistencë. Në një rast, një votuese që dukej në të tridhjetat, kërkonte të asistohej nga bashkëshorti i saj, kjo është shkelje,” u shpreh Cakolli.
Ai e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një ndër më të rëndësishmit në aspektin e konkurrencës politike:
“Këto zgjedhje kanë qenë shkundja më e madhe politike. Për herë të parë, pothuajse në çdo komunë ka pasur garë të vërtetë,” theksoi ai./21Media