Cakolli: S’mund të shpallen zgjedhjet pa konstituim të Kuvendit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se pa u konstituuar Kuvendi, nuk mund të shpallen zgjedhje të parakohshme.
Në një postim në Facebook ai shprehet se Kuvendi nuk konstituohet me thirrje apo mbledhje, por vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
“Afati kushtetues 30-ditor është për thirrjen dhe mbajtjen e seancës konstituive, jo për përmbylljen e konstituimit – dhe ky afat është konsumuar që më 15 prill. Çdo interpretim tjetër është ose keqkuptim, ose tentativë për t’i ikur dështimit politik”, shkroi Cakolli.
Ai tutje shtoi se zgjedhjet e reja nuk shkaktohen automatikisht nga dështimi për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, meqë Kushtetuta nuk njeh një rrugë të tillë të shkurtër.
“Nëse mungon shumica, zgjedhjet mbeten opsion politik – por absolutisht jo pasojë kushtetuese. Deri atëherë, pa shumicë, nuk ka Kryetar, nuk ka Kuvend funksional dhe nuk ka as afat që e ‘rregullon’ vetvetiu problemin. Mbi të gjitha, edhe rruga drejt zgjedhjeve – nëse palët dakordohen për to – kalon përmes konstituimit të Kuvendit”, theksoi Cakolli.
Sot u mbajt seanca e gjashtë në përpjeke për konsitutimin e Kuvendit. Haxhiu dështoi për herë të katërt që të zgjidhet kryeparlamentare pasi që nuk mori votat e mjaftueshme (61 sosh)./21Media