Cameron: Kievi mund të përdorë armë britanike brenda Rusisë

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron ka thënë se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike dhe këmbënguli se ajo ka të drejtë të godasë objektivat në territorin rus.
Gjatë një vizite në Kiev, ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 3 miliardë paund (3.75 miliardë dollarë) në vit për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Ashtu si Rusia po godet brenda Ukrainës, ju mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina ndjen nevojën për t’u siguruar që po mbrohet”, tha Lord Cameron.
Rusia dënoi atë që e quajti “një deklaratë tjetër shumë e rrezikshme”.
“Ky është një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensionit rreth konfliktit të Ukrainës, i cili potencialisht do të përbënte një kërcënim për sigurinë evropiane”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
SHBA thuhet se i ka kërkuar Ukrainës që të ndalojë sulmet e saj ndaj rafinerive të naftës në Rusi, nga frika se mund të provokojë një përshkallëzim në konflikt.
Peskov gjithashtu sulmoi presidentin francez Emmanuel Macron, i cili tha këtë javë se Perëndimi “në mënyrë legjitime” do të duhej të konsideronte nëse do të dërgonte trupa tokësore në Ukrainë “nëse rusët do të kalonin vijën e frontit, nëse do të kishte një kërkesë ukrainase”.
Vërejtjet e Macron për The Economist ishin një “prirje shumë e rrezikshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit. Megjithatë, lideri francez në intervistën e tij e bëri të qartë se nëse Rusia fitonte në Ukrainë, nuk do të kishte siguri në Evropë.
Forcat ruse kanë kapur disa fshatra në Ukrainën lindore gjatë përparimeve të fundit, duke përfituar nga mungesa e armëve dhe fuqisë punëtore të Ukrainës.
Zyrtarët e inteligjencës ukrainase besojnë gjithashtu se Rusia po përgatitet për një ofensivë verore në rajonet verilindore të Kharkiv dhe Sumy.
Komandanti i Gardës Kombëtare, Oleksandr Pivnenko, paralajmëroi kohët e fundit se Rusia po përgatitte “surpriza të pakëndshme” dhe po rekrutonte në heshtje 30,000 njerëz në muaj.
Ushtria e Ukrainës thotë se objektivi i menjëhershëm i Rusisë është qyteti strategjik në majë të kodrës Chasiv Yar, 15 km (9 milje) në perëndim të qytetit të shkatërruar të Bakhmut.
Zyrtarët besojnë se qyteti lindor mund t’u mundësojë forcave ruse të sulmojnë qytetet kryesore lindore. Ushtria ka sugjeruar se Moska është e prirur për të kapur Chasiv Yar përpara se rusët të shënojnë fitoren në Luftën e Dytë Botërore më 9 maj.
Megjithatë, një zëdhënës ukrainas ka mohuar se trupat ruse kanë depërtuar në kanalin Siverskyi Donetsk-Donbas në periferi të qytetit.
Lordi Cameron, i cili u takua me Presidentin Volodymr Zelensky në Kiev, tha se ishte Rusia ajo që kishte nisur një sulm në Ukrainë dhe Ukraina “ka absolutisht të drejtën të sulmojë Rusinë”.
Mbretëria e Bashkuar ka ofruar miliarda paund në mbështetje ushtarake për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022, duke filluar nga tanket dhe raketat e drejtuara me saktësi te sistemet e mbrojtjes ajrore.
Një vit më parë, Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se kishte filluar furnizimin me raketa lundrimi me rreze të gjatë Storm Shadow me një rreze prej më shumë se 250 km./21Media