Çeku: Ta shijojmë së bashku botërorin e hendbollit universitar në Prishtinë

Nga 11 deri më 17 korrik në Prishtinë po zhvillohet Kampionati Botëror i hendbollit për universitete.
Në këtë kampionat po marrin pjesë 14 ekipe nga vende të ndryshme të botës në kategorinë e meshkujve dhe atë të femrave.
Në ceremoninë hapëse të mbajtur në sallën “1 Tetori”, drejtori i FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll, Musa Selimi, tha se kjo do të jetë një mundësi e mirë për shkëmbim të përvojave ndërmjet këtyre vendeve.
“Duke filluar nga sot, 14 ekipe nga universitete nga e mbarë bota do të garojnë për trofeun e më të mirit në handbollin e universiteteve për meshkuj dhe femra. Ju do të keni mundësinë të bëni kujtime e të shkëmbeni përvoja”, tha Selimi.
Ndërsa Gabirel Kotchofa, anëtar i Bordit ekzekutiv të Federatës Botërore të Sporteve Universitare, ka deklaruar se është shumë mirënjohës për mikpritjen që iu është bërë të gjitha vendeve që kanë ardhur në Kosovë dhe se janë shumë të kënaqur me këtë organizim.
“Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Sporteve, të gjithë organizatorët dhe vullnetarët të cilët kanë punuar për ta realizuar këtë ngjarje. Jemi shumë mirënjohës për mikpritjen dhe kujdesin tuaj. Ju dëshiroj mirëseardhje delegatëve dhe të gjithë pjesëmarrësve. Shijoni këtë ngjarje dhe dërgoni në shtëpi kujtime të bukura nga Prishtina, nga shteti i bukur i Kosovës”, tha Kotchofa.
Mirëseardhje të gjitha ekipeve iu uroi edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Mirë se vini në Kosovë dhe ju uroj një javë sportive dhe të këndshme në kryeqytetin tonë. Uroj që në këto ndeshje që do t’i ndjekim bashkë të kalojmë çaste sa më të mira”, theksoi Çeku.
Ndryshe, sot u zhvilluan gjashtë ndeshjet e para të këtij kampionati në Prishtinë.

Back to top button