Blerja e armatimit ushtarak, Mehaj nuk jep detaje

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se synimi kryesor është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Mehaj në raportim para Komisionit për Siguri në Kuvend të hënën, ka prezantuar punën e tij gjatë vitin 2022.
Ai tha se vetëm në këtë vit janë rekrutuar 840 ushtarë të rinj, derisa pritet të rekrutohen edhe 1000 të tjerë në konkurset e reja.
Mirëpo, konfirmoi se vetëm gjatë vitit 2022 janë larguar nga FSK-ja 127 ushtarë.
Mehaj tha se gjatë vitit 2022 kanë hartuar strategjinë e sigurisë.
Derisa, nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar i FSK-së po vazhdon dhe se Kosova do të marrë pjesë në “Defender 2023”.
Ndërkaq, refuzoi të jap shifra për blerje të armatimit ushtarak në prani të mediave.
127 ushtarë këtë vit u larguan nga FSK-ja
Gjatë këtij viti 127 ushtarë kanë dhënë dorëheqje nga FSK-ja. Kjo u bë e ditur gjatë raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj në Komisionin për Siguri të Kuvendit të Kosovës.
Mehaj ka thënë se dorëheqjet janë sikur vitet e kaluara dhe nuk është mirë të cilësohen si alarmante.

Mbi 1 mijë ushtarë iu bashkuan FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se rritja e buxhetit për FSK-në ka ndikuar për rritje të kapaciteteve brenda Ushtrisë së Kosovës.
Mehaj ka theksuar se gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë të rinj, ndërsa gjatë këtyre muajve në total janë rekrutuar 1,230 ushtarë që është dyfishi i vitit 2020 dhe 2019.
“Qëllimi ynë është që të anëtarësohemi në NATO dhe të japim kontributin tonë si shtet për sigurinë e rajonit dhe më gjerë duke marrë pjesë në misione ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ushtarët tanë po marrin pjesë në stërvitjet ndërkombëtare së bashku me ushtritë e vendeve partnere dhe aleate”, tha Mehaj.
Çështja e sigurisë, Mehaj raporton sot në komision parlament
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj raporton sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2022.
Mbledhja e komisionit pritet të fillojë nga ora 10:00.
Aktualisht situata në veri të vendit është e tensionuar për shkak të barrikadave të ngritura nga bandat kriminale.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Back to top button