Çfarë dihet deri tani për marrëveshjen me Iranin?

Lehtësimi që krijoi shpallja e një armëpushimi midis SHBA dhe Iranit po shoqërohet me pasiguri të konsiderueshme. Një ndër pyetjet kyçe është nëse Ngushtica me rëndësi strategjike e Hormuzit do të rihapet për lundrim.
Për çfarë janë dakorduar të dyja palët?
Pak para skadimit të ultimatumit të tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se, me kërkesë të Pakistanit, kishte pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin. Nga ana e regjimit iranian, Këshilli Kombëtar i Sigurisë miratoi armëpushimin. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghtschi, deklaroi, se do të hapet Ngushtica e Hormuzit, një korridor detar që luan një rol kyç për ekonominë botërore për shkak të transportit të naftës dhe gazit, shkruan DW.
Baza e marrëveshjes
Baza e marrëveshjes është një plan me dhjetë pika, i cili i është dorëzuar Uashingtonit nga pala iraniane. Deri më tani, as Republika Islamike e Iranit dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë bërë zyrtarisht publik përmbajtjen e dokumentit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, plani dhjetëpikësh përfshin kërkesën për ndalimin e përhershëm të veprimeve agresive. Iranit do t’i lejohej të ruante kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe të vazhdonte pasurimin e uraniumit. Po ashtu, kërkohet edhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare si dhe e masave ndëshkuese të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB‑së.
Luftimet pritet të përfundojnë në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Izraeli megjithatë e mohoi këtë pikë, duke theksuar se marrëveshja nuk vlen për luftën kundër milicisë Hezbollah.
Trump fillimisht e cilësoi marrëveshjen si një „bazë të qëndrueshme për negociata”. Sipas tij, pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të konfliktit ishin zgjidhur. Megjithatë, mbi këtë vlerësim ka dyshime të konsiderueshme.
Sipas raportimeve mediatike, qarkullojnë versione të ndryshme të planit dhjetëpikësh, një në anglisht dhe një në persisht (farsi). Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se në versionin në farsi përmendet „pranimi i pasurimit të uraniumit”, ndërsa ky formulim mungon në versionin në anglisht.
Një nga arsyetimet kryesore të Trumpit për ndërmarrjen e sulmeve kundër Iranit ishte ndalimi i programit bërthamor të vendit. Për këtë arsye, duket e pamundur që pala amerikane të pajtohet me këtë pikë në bisedimet e paqes që janë planifikuar aktualisht.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi në një konferencë për shtyp se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për sulme të mëtejshme kundër Iranit, nëse Teherani nuk dorëzon uraniumin e pasuruar. Për më tepër, presidenti amerikan kërcënoi, në një postim në platformën e tij Truth Social, se do të vendosë tarifa doganore ndaj të gjitha vendeve që në të ardhmen furnizojnë Iranin me armë.
Çfarë po ndodh me Ngushticën e Hormuzit?
Megjithëse ministri i Jashtëm i Iranit, Araghtschi, deklaroi se ngushtica detare midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit do të rihapej, ai e shoqëroi këtë njoftim me kushtin se një veprim i tillë do të bëhej „në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, Irani e ka mbyllur përsëri ngushticën, si shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite kundër Hezbollahut në Liban. Sipas këtyre informacioneve, vetëm dy cisterna nafte kanë arritur të kalojnë përmes ngushticës përpara se trafiku detar të pezullohej sërish.
Sipas vlerësimit të udhëheqjes iraniane, Izraeli po shkel armëpushimin e koordinuar me Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve të vazhdueshme kundër Hezbollahut.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shkroi në platformën X se armëpushimi vlen shprehimisht edhe për Libanin. Presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë telefonike për kanalin televiziv PBS, theksoi ndërkaq se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes.
Sipas raportimeve, po diskutohet mundësia që si Irani ashtu edhe Omani të vendosin në të ardhmen tarifa për anijet që kalojnë përmes ngushticës. Nga këndvështrimi i ekspertëve, fakti që Irani mund të ketë në dorë një mjet ndikimi mbi ekonominë botërore konsiderohet i rrezikshëm.
„Vështirë se mund të imagjinohet që Shtetet e Bashkuara dhe bota do të pranonin një situatë në të cilën Irani mban kontrollin mbi një nyje kyçe energjetike për një kohë të pacaktuar. Kjo do të ishte një rezultat dukshëm më i keq sesa situata para luftës”, deklaroi Richard Fontaine nga qendra kërkimore me bazë në Uashington Center for a New American Security për gazetën The New York Times.