Çfarë ofron Kosovo Theatre Showcase në ditët në vazhdim?
Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase vazhdon të enjten më 4 nëntor me një seri ngjarjesh interesante që mbahen në lokacione të ndryshme në kryeqytet si dhe në teatrin e qytetit në Gjilan.
Programi i së enjtes i Kosovo Theatre Showcase përmbyllet në teatrin Oda prej orës 20:00 me shfaqjen mysafire nga Qipro, “Incidenti i Madelinës” nga Jeton Neziraj në regji të Marios Theocharous. Shfaqja flet mbi një familje rome të dëbuar nga Gjermania e cila është në kërkim të shtëpisë në Kosovën kaotike.
Në shfaqje luajnë Andreas Nicolaides, Miranda Nychidou, Athena Savva. Shfaqja “Balkan Bordello” premiera e së cilës u shfaq në Prishtinë më 3 nëntor, të enjten udhëton në teatrin e qytetit të Gjilanit ku do të shfaqet prej orës 20:00.
Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.
Për pesë ditë me rradhë, Showcase-i i këtij viti mbledh në Kosovë, rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin.
Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa ―në një program përcjellës të shfaqjeve mysafire të titulluar “Programi i vendeve pa regjim vizash”./21Media