Çfarë u diskutua në takimin e Bislimit me emisarët?

Zëvendëskryeministri parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të fokusit të takimit dhe temave të diskutimit.
Bislimi riktheksoi se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. U potencua pacenueshmëria e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.
Zëvendëskryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE.
Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve.
Ndërkohë, Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar më tej në këtë proces. Gjithashtu,  Bislimi konfirmoi përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në proces dialogut.​/21Media

Back to top button