Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Biggi?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim të ngarkuarin me detyrë të ambasadorit të Australisë në Zagreb, Adrea Biggi, njëherësh ambasador jorezident i Australisë në Kosovë.
Takimi filloi me falënderimin e kryeministrit për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Australisë ndaj popullit dhe shtetit tonë.
Përmirësimin e indikatorëve ekonomik dhe të atyre demokratik, kryeministri ia atribuoi stabilitetit institucional, qeverisjes demokratike dhe platformës anti-korrupsion.
“Përkrah rritjes ekonomike prej 10.53%, gjatë këtij viti të qeverisjes, Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij”, thuhet në njoftim.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Kurti tha se Kosova është treguar e përkushtuar, konstruktive në qasje dhe kreative në propozime. Ngjashëm sikurse edhe në procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin theksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë.
Në anën tjetër, ambasadori Biggi e falënderoi Kurtin për mirëpritjen, për bashkëpunim dhe për urimin që i ka bërë kryeministrit të sapo zgjedhur të Australisë, Anthony Albanese. Ai tha se Australia vazhdon të ketë gatishmëri për të ndihmuar Kosovën dhe për të pasur bashkëpunim të ngushtë në fusha me interes të përbashkët.
Australia është nga vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dy ditë pas shpalljes së saj, dhe një prej vendeve të para me të cilat Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike, tre muaj pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran./21Media 

Back to top button