Chelsea e Arsenal ndahen pa fitues në derbin e madh të Premier Ligës

Derbi i xhiros 11 ndërmjet Chelsea dhe Arsenal sonte në “Stamford Bridge” ka përfunduar pa fitore 1:1 dhe të dyja skuadrat mbeten në pjesën e epërme të tabelës, në garën e ashpër për titull, të cilës vazhdon t’i prijë Liverpool pas humbjes së papritur të Manchester Cityt në kthesën e madhe ndaj Brighton.

Kai Havertz solli në epërsi ‘topçinjtë’ në minutën e 32-të, por goli i tij u anulua pas shikimit të VAR-it.

Në pjesën e dytë Arsenali tregoi lojë më të mençur në fushë dhe kjo iu shpagua me golin e Gabriel Martinellit në minutën e 60-të pas asistimit të Martin Odegaard. 

Pedro Neto riktheu Chelsea në lojë me golin e barazimit në minutën e 70-të pas asistimit të Enzo Fernandez, i cili hyri në lojë vetëm dy minuta më herët në vend të Romeo Lavia.

Pas këtij barazimi, Chelsea dhe Arsenal kanë nga 19 pikë në pozitat tre dhe katërt. Prin Liverpool me 28 pikë, pesë më shumë se Manchester City në vendin e dytë, i cili dje pësoi humbje nga Brighton me rezultat 1:2, edhe pse ishte në epërsi me golin e Erling Haaland.

 

 

Back to top button