Cilat janë shkaqet, simptomat dhe si trajtohet gjëndra tiroide, tregon Dr. Amir Rexhepi

“Gjëndra tiroide është një gjëndër endokrine e vendosur në mes të qafës, e vogël, por jetike. Luan një rol të madh në metabolizmin, rritjen dhe zhvillimin e trupit të njeriut. Ka formën e fluturës me krahë të hapur.”, kështu ka deklaruar për rtv21.tv Dr. Amir Rexhepi-Endokrinolog, i cili ka informuar se gjëndra tiroide ndihmon për të rregulluar shumë funksione të trupit, duke sekretuar vazhdimisht një sasi të qëndrueshme të hormoneve tiroide në qarkullimin e gjakut.
Endokrinologu ka bërë të ditur se gjëndra tiroide përbëhet nga dy lobe, i majti dhe i djathti (krahët e fluturës) dhe istmusi (trupi i fluturës) që vendoset në mes dhe bashkon lobet e saj. “Te njerëzit e shëndetshëm, pa sëmundje të tiroidës, pesha e gjendrës tiroide është 15- 30 gr”, ka treguar ai.
Gjëndra tiroide -
Endokrinologu Rexhepi gjatë intervistës për rtv21.tv ka potencuar se nga çfarë mund të shkaktohen problemet me gjëndrën tiroide.
“1. Mungesa e jodit, 2. Sëmundjet autoimune, në të cilat sistemi imunitar sulmon gjëndrën tiroide, duke çuar ose në hipertiroidizëm (sëmundja e Graves) ose në hipotiroidizëm (sëmundja e Hashimotos), 3. Inflamacionet (të cilat mund të përcillen me dhimbje ose pa to), të shkaktuara nga ndonjë virus ose baktere, 4. Nyjet (noduset), ose gungat jo kanceroze, 5. Tumoret kancerogjene, 6. Trajtimet e caktuara mjekësore, duke përfshirë terapinë me rrezatim, kirurgjinë e tiroides dhe disa barna, 7. Disa çrregullime gjenetike, 8. Herë pas here, shtatzënia mund të shkaktojë fillimin ose përkeqësimin e problemeve të tiroides; nëse nuk trajtohet, kjo mund të shkaktojë probleme për nënën dhe foshnjën, duke përfshirë aborte, lindje të parakohshme, preeklampsi dhe gjakderdhje pas lindjes.”, ka treguar PhDC Amir Rexhepi.
I pyetur se cilat janë simptomat dhe ndërlikimet e gjëndrës tiroide, Dr. Rexhepi ka theksuar se në rastin e sëmundjes Graves, kur kemi sekretim të shtuar të hormoneve tiroide, pasqyra klinike është e pasur, për arsye të veprimit të hormoneve të tiroidesë mbi të gjitha organet dhe indet.
Por, sipas tij, prapseprapë dominon treshja e simptomave:

  • struma (gusha) (difuze, hiperfunksionale),
  • egzoftalmus (dalja e kokërdhokut të syrit jashtë ), dhe
  • tahikardia (rrahja e shpejtë e zemrës).

“Nga simptomat e përgjithshme prezent janë: ulja e peshës trupore edhe përkrah oreksit të rritur, plogështi, djersitje, dobësi muskulore (nuk mund të ngjiten nëpër shkallë), nuk durojnë nxehtësi, labilitet emocional, jashtëqitje të shpeshta, hipertension.”, ka deklaruar endokrinologu.
Tetë shenjat që tregojnë se gjendra tiroide nuk funksionon si duhet - KOHA.net
Në rastin e hipotiroidizmit, kur kemi rënie të sekretimit dhe/ose prodhimit të hormoneve të tiroides, endokrinologu për rtv21.tv ka theksuar se kjo karakterizohet me rënie të funksioneve të shumë sistemeve, veçanërisht sistemit kardiovaskular, gastrointestinal dhe kutan (lëkuror).
Ai ka bërë të ditur se hipotiroidizmi i lehtë mund të mos shkaktojë simptoma.
Ushqimet për një gjëndër të shëndetshme tiroide – FAKTOR.AL
Sipas Dr. Rexhepit, një person ndoshta nuk do të ketë të gjitha simptomat, por mund të ketë disa nga simptomat e mëposhtme:

  • Oreks i dobët dhe vështirësi me lëvizjet e zorrëve (kapsllëk)
  • Shtim në peshë
  • Anemi (pagjakësi)
  • Lëkurë e zbehur, duke ndjerë të ftohtë dhe të paaftë për të djersitur.
  • Ndjesi e lodhjes
  • Kujtesë e dobët dhe duke u ndjerë në depresion
  • Probleme me gjumin gjatë natës
  • Flokët mund të bëhen të brishta, të holla ose të rriten ngadalë.
  • Zëri mund të bëhet më i thellë dhe i ngjirur.
  • Ndryshimet në rrahjet e zemrës.
  • Ënjtje, sidomos rreth syve.
  • Gratë mund të kenë probleme me cikël menstrual.

Dr. Amir Rexhepi ka shtuar se trajtimi varet nga lloji i nodusit tiroidien. Sipas tij, opsionet e trajtimit përfshijnë:

  1. Asnjë trajtim/”përcillen dhe monitorohen”.
  2. Jodi radioaktiv.
  3. Kirurgjia- Kirurgjia për të hequr nyjet është trajtimi më i mirë për nyjet që janë kancerogjene, që shkaktojnë “simptoma obstruktive” (për shembull, janë aq të mëdha sa vështirësojnë frymëmarrjen ose gëlltitjen) dhe janë “të dyshimta”./21Media
Back to top button