Cilat janë veprimet që janë ndërmarrë për avancimin e të drejtave të qytetarëve, kërkon të dijë Haradinaj

Haradinaj: Në shtetin tonë të ri nuk ka vend për diskriminim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, ka thënë se mund të krenohemi me garantimin e të drejtave për çdo komunitet dhe në këtë drejtim synojmë të jemi kampionë të vërtetë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Kryeministri përmes një letre iu është drejtuar Grupit Koordinues Ndërministrorë për të Drejtat e Njeriut. Me këtë rast Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse të ofrojnë të gjitha të dhënat mbi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra të cilat kanë përmbushur dhe avancuar të drejtat e qytetarëve në të gjitha aspektet e jetës për vitin 2018 si dhe prioritetet për vitin e ardhshëm.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare “Facebook” se Kosova ndjekë praktikat më të mira të shoqërive të lira, ku dinjiteti dhe integriteti i njeriut është interes thelbësor.

“Në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, mund të krenohemi me garantimin e të drejtave për çdo komunitet dhe në këtë drejtim synojmë të jemi kampionë të vërtetë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë të pandashme, të ndërlidhura dhe të ndervarura, qofshin të drejta civile apo politike. Në shoqërinë dhe në shtetin tonë të ri, nuk ka vend për diskriminim në baza etnike, fetare, partiake ose rajonale dhe për këtë krahas Kushtetutës sonë shumë të avancuar, ekziston një vetëdije e lartë qytetare dhe institucionale”, ka shkruar Haradinaj.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor të vitit 1948, ishte mbledhur në Paris dhe kishte miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata doli drejtpërdrejt nga përvoja e Luftës së Dytë Botërore dhe paraqet shprehjen e parë globale se të gjitha qeniet njerëzore lindin me të drejta, prandaj nuk duhet t’i luten, përulen a shtrijnë dorën tjetërkujt për t’i pasur ato./21Media

Back to top button