Cili është ndikimi i yndyrës dhe sheqerit në tru?

Konsumimi i sasive të tepërta të ushqimeve të yndyrshme dhe të ëmbla jo vetëm rrit perimetrin e belit dhe stomakut, por ndikon negativisht edhe në aftësitë njohëse.
Shkencëtarët nga Universiteti i Sidneit zbuluan se ushqimet e pasura me yndyrë dhe sheqer kanë një “efekt të dëmshëm në disa aspekte të funksionit njohës”, veçanërisht ndërgjegjësimin hapësinor dhe aftësitë e lundrimit hapësinor.
“Të rinjtë që konsumonin shpesh ushqime të pasura me yndyrë dhe sheqer kishin memorie më të dobët për vendndodhjen e një arkë thesari në një labirint virtual”, janë rezultatet e hulumtimit të publikuar në revistën profesionale “The International Journal of Obesity”.
Ata tregojnë për “ndikimin negativ” të konsumit të ushqimit të shpejtë në “të mësuarit dhe kujtesën në lidhje me mjediset hapësinore”, ndërsa konfirmojnë gjithashtu atë që ne tashmë e dimë – “rëndësinë e bërjes së zgjedhjeve të shëndetshme dietike kur bëhet fjalë për shëndetin kognitiv”.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se konsumimi i tepërt i yndyrës dhe sheqerit jo vetëm që kontribuon në zhvillimin e diabetit, obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës, por gjithashtu “lidhet me ritme më të shpejta të rënies njohëse të lidhura me moshën tek të rriturit e moshës së mesme dhe të moshuar”, raportoi ekipi në punimin e tyre.
Edhe pse studiuesit australianë kanë zbuluar se të rinjtë nuk janë të përjashtuar nga efektet negative të konsumimit të ushqimeve të përpunuara dhe jo të shëndetshme, lajmi i mirë është se ka të ngjarë që truri i tyre në tërësi të mos ndikohet, por vetëm hipokampusi – pjesa e trurit që kontrollon kujtesën dhe ndihmon në lundrimin në hapësirë.
Një nga shkencëtarët që punoi në studim, Dominic Tran, thekson se lajmi i mirë është se “ndryshimet dietike mund të përmirësojnë shëndetin e hipokampusit, dhe për këtë arsye aftësinë tonë për të lundruar në mjedisin tonë, si për shembull kur eksplorojmë një qytet të ri ose përpiqemi të kujtojmë një rrugë të re për në shtëpi”.