“Çimka” premierë në maj
Me 1 maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia e Gjetheve” do të shfaqet premiera e shfaqjes “Çimka”.
“Çimka” – një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatri Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis – Art and Community, Prishtinë, me autor Shpëtim Selmani dhe nën regjinë e Zana Hoxha.
“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë.
E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.
E konceptuar nga regjisorja Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.
Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.
Produksioni: Teatri Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra për Art dhe Komunitet-Artpolis
Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj, Altea Dulellari./21Media