Çitaku: Ambasadat s’janë të VV-së, do t’iu vijë fundi më 28 dhjetor

Ish-deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se “mendësisë abuzive të VV-së” do t’i vijë fundi më 28 dhjetor.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon, siç thotë ajo, “avazin e vjetër” të shpërdorimit të resurseve shtetërore për qëllime elektorale.
“Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me avazin e vjetër, shpërdorimin e të gjitha resurseve shtetërore për beteje elektorale. Kjo sjellje tregon mungesë respekti për vet shtetin dhe institucionet e Republikës. Institucionet janë më të mëdha se partitë, më të mëdha se individët. Ne jemi vetëm shërbyes të përkohshëm në to”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ndër të tjera, sekretarja e PDK-së thotë se cenimi i institucioneve është i rrezikshëm për demokracinë, për ligjshmërinë dhe për vet Republikën.
“Ambasadat nuk janë të VV-së. As të PDK-së. Ambasadat janë të Republikës së Kosovës. Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 Dhjetor”, përfundoi ajo.
Ligji fjalpërfjalshëm ia ndalon, por ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci, i është skejuar obligimeve ligjore të shtetit të vet për të marrë pjesë në tubime zgjedhore të Vetëvendosjes. Ajo i ka bërë vetes vend m’u në rresht të parë përballë në fushatën zgjedhore të Albin Kurtit. Në Osllo, në një takim të shumëbrohoritur dhe të transmetuar drejtpërdrejt nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në shtetin nordik, Luci shihet të jetë e etabluar mirë në interaksion me elektorat të Vetëvendosjes. Neni 32, Pika 1.5, e Ligjit për Shërbyesit e Jashtëm ia ndalon shprehimisht ambasadores Luci çfarëdo aktiviteti partiak “gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm”, shërbim të cilin ajo ende s’e ka kryer për mandatin e plotë diplomatik që i përfundon vitin e ardhshëm. Logjika e ndalimit ligjor për diplomatët për të mos u partizanuar është e thjeshtë: që diplomati përfaqëson krejt shtetin e jo një parti; që të mos e shndërrojë shërbimin e jashtëm në vegël shërbyese partiake gjatë zgjedhjeve, dhe që shërbimi i jashtëm është (do të duhej të ishte) neutral dhe institucion i bazuar në meritë mes tjerash. Ndërkaq, përkufizimi ligjor se në çka konsistin “fushata politike zgjedhore” jepet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme si “Aktiviteti i fushatës politike – do të thotë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, mbledhje, prezantim publik, ose ndonjë aktivitet i përgatitur për të propaganduar mesazh politik në lidhje me zgjedhjet”. Në një tubim të tillë habitoi Nita Luci.
