Çka pas dërgimit të komenteve në Bruksel?!

Qeveria e Kosovës i ka dërguar komentet e saj në Bruksel për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje thonë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa u plotësuar tri kriteret e kryeministrit Kurti ndër to nënshkrimi i marrëveshjes bazë. Ndërkohë, partitë opozitare kritikojnë Qeverinë se ka pranuar një marrëveshje e cila parasheh krijimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive. Ndërsa, analistët mungesën e rezultateve në dialog e ndërlidhin me rrugën integruese të Kosovës.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk dhanë hollësi se cilat janë komentet për zbatiumin e marrëveshjes, të cilat të enjten pasdite ia dërguan Bashkimit Evropian. Ky i fundit ndërkaq nuk e ka komentuar përmbajtjen e komenteve qa dërguar Kosova dhe Serbia në Bruksel sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazë. Zyrtarët e BE-së kanë ripërsëritur qëndrimet se u përket palëve të tregojnë për qëndrimet e tyre në proces të dialogut. Kryeministrii Kurti tha në ditën e dëegimit të komenteve me Serbinë nuk mund të ketë përparim në normalizim të marrëdhënieve derisa nuk ka nënshkrim të marrëveshjes.

Deputeti i VV-së Adnan Rrustemi tha se pa plotësimin e tri kushteve të kryeministrit i padobishëm vazhdimi i dialogut.

“Tri kriteret e Kurtit janë testet e normalizimit të raporteve Kosovë Serbi. Nuk mund të ketë normalizim e dialog pa nënshkrim të marrëveshjes dhe pas tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq”, tha Rrustemi për rtv21.

Ndërkohë, partitë opozitare nuk presin përparim në dialog. Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu, i konsideron të parëndësishme kushtet e kryeministrit Albin Kurti në dialog dhe e ka kritikuar Qeverinë se ka pranuar një marrëveshje që e parasheh një asociascion me kompetenca ekzekutive.

“Tani që Albini ka pranuar Asociacionin që e ka thënë vet, por jo një Asociacion siç ka qenë në vitin 2013-2015, por tani kemi të bëjmë me një Asociacion që brenda vetës ka rezolutën 1244, arbitrazhin, vetëfinancimin dhe vetëmenaxhimin, pra po flasim për një autonomi për komunitetin serb”, tha Musliu.

Ligjëruesi i çështjeve integruese, Avni Mazreku, vlerëson se pa vullnet politik të palëve për zbatim të plotë të marrëveshjes bazë, nuk mund të ketë sukses dialogu i Brukselit.

“Me këtë qasje cfarë e kemi parë deri më tani me mungesë të vullnetit politik është rrezik që kjo marrëveshje të mos implementohet asnjëherë në tërësinë e saj”, tha Mazreku për rtv21.

Ndërsa, ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, tha se agjenda e BE-së në proces të dialogut nuk është përmbushur për faktin se, siç vlerëson, mungojnë rezultatet konkrete në zbatim të marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që mund të themi tash për vazhdimin e dialogut është se e njëjta do të vazhdojë pa dhënë ndonjë rezultat. Asnjëra palë nuk do të thotë se nuk do të shkojë në takime por secila palë do të gjejë arsyetime për mos të realizohet marrëveshja që ka qenë. Fajtor kryesor është tek Serbia sa u përket kushtëzimeve të saj për themelimin e asociacionit”, tha ai.

Kosova dhe Serbia kanë akuza të ndërsjella për shkelje të marrëveshjes bazë. Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa pala kosovare refuzon ta dërgojë draft-statutin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Përfaqësuesi i IKD-së, Astrit Tolaj, tha se në këtë mes kushtëzimesh Kosova do të pësoj më së shumti në rrugën e saj integruese.

’Qeveria ka dy zgjidhje; të respektojë dhe ti zbatojë kushtet e caktuara nga miqët ndërkombëtar, ose t’i vuaj pasojat e mos respektimit dhe zbatimit të kërkesave të ndërkombëtarëve. Tash jemi duke vuajtur pasojat e mos përmbushjet kushteve. Mendoj se të gjitha zotimet duhet të respektohen”, tha Tolaj.

Bashkimi Evropian nuk ka bërë të ditur nëse së shpejti mund të organizohet një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq pas dërgimit të komenteve të palëve në Bruksel./RTV21/21Media

Back to top button