Abdixhiku kërkoi ndihmën e Clark që Kosova t’i forcojë lidhjet edhe më shumë me ShBA-në dhe NATO-n

(Lajm i përditësuar)


Ish-gjenerali amerikan i NATO-s, Wesley Clark sot është pritur në selinë e LDK-së, ku i pari i kësaj partie Lumir Abdixhiku e dekoroi atë me çmimin “Dr.Ibrahim Rugova”.

Kreu i LDK-së, tha se kontributi i Clark ka tejkaluar udhëheqjen ushatarake.

“Veprimet tuaja gjatë momenteve kyçe ishin të dobishme për të sjellë lirinë që ne e çmojmë sot”, shkroi Abdixhiku mes tjerash në një postim në “Facebook”.

“Dhe këtu ju drejtoj thirrjen tonë për të na ndihmuar t’i forcojmë akoma këto lidhje; lidhjet ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara; sepse ato mbesin orientime tona autentike! Vizitat tuaja në Kosovë kanë qenë gjithmonë burim frymëzimi dhe sigurie për qytetarët tanë”, shkroi ai.


Clark e përmend LDK-në si arsye që pati sukses intervenimi i Perëndimit në Kosovë

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Clark ka folur për kohën kur udhëhoqi bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Ai tha se një rol të jashtëzakonshëm e kishte luajtur Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Mendoj se suksesi i intervenimit të NATO-s në dallim me vendet tjera ku ka intervenuar është se në Kosovë funksiononte LDK”, tha Clark.

Gjenerali në këtë kontekst ka përmendur Irakun dhe Afganistanin si vende ku ka ende luftime pas intervenimit.


LDK-ja nderon Clarkun me dekoratën Dr. Ibrahim Rugova

Ish-gjenerali i NATO-s që udhëhoqi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, Wesley Clark sot po qëndron në Kosovë.

Ai është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

LDK-ja, Clarkun e ka nderuar me dekoratën Dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.


Clark sot në Kosovë, Abdixhiku ia ndan dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, sot do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë.

Ai do të pritet në takim edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kreu i kësaj partie do të ndan për të Dekoratën dr.Ibrahim Rugova, për kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

Sipas, njoftimit të bërë nga LDK, takimi do të nis rreth orës 09:00.

“Në Selinë Qendrore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës me bashkëpunëtorë pret në takim Gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark kishte thënë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë.

Back to top button