Clarke: Ka diçka të pazakontë në raportet e autopsisë, disa gjurmë të lëndimeve me armë zjarri janë të palogjikshme

Eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke ka thënë sot në Hagë se në raportin e autopsisë për disa viktima prej të cilave ai ka nxjerrë konstatime kishte diçka të pazakontë.

Dëshmitari pohoi se disa nga gjurmët e lëndimeve të marra me armë zjarri ndaj viktimave janë të palogjikshme dhe ka diçka të pazakontë. Ai gjithashtu pohoi se nuk ka pasur dhe nuk ka një diagram apo fotografi mbështetëse ku të mbështetet ai për përfundimet e tij.

“Duken të palogjikshme sepse plaga në hyrje dhe në dalje janë shumë afër. Plaga e hyrjes dhe e daljes është shumë e pazakontë. Kjo mund të ndodhë ndonjëherë- jo se nuk ndodhë, por habiten se pse nuk ka bërë asnjë koment patologu. Nëse do të shikoja një rast të tillë dhe do të hoja që këtu ka hyrë dhe këtu ka dal plumbi, mendoja me vete që kjo është e pazakontë dhe do të bëja një shpjegim për këtë. Mbase patologu ka pasur të drejtë në gjetjet e veta, por jam i befasuar se pse nuk është theksuar dhe pse nuk është thënë që është e pazakontë?! Pse nuk ka asnjë shpjegim për këtë?!”, tha Clarke

Ai tha se është e mundur që këto konstatime të jenë të sakta, megjithëse mund të duken të pazakonta por ai shtoi se mund të ndodhë edhe e kundërta që ato të jenë të gabuara.

Ndërsa, në një pjesë të raportit ku kishte të bënte me kohen e realizimit të autopsisë, dëshmitari pohoi se duhet të gjurmohen gjurmët e të shtënave me armë dhe se ky nuk ishte një proces i thjeshtë.

“Është proces mjaftë i vështirë”, tha Clarke.

Si rrjedhojë, ai pohoi se duhet të bëhen shumë investigime dhe shumë prova për të konstatuar se hyrje-daljet janë të sakta.

Ai pohoi se në mendimin e tij është e pazakontë që doktori që i ka kryer autopsinë këtyre pesë trupave, si proces e ka përfunduar brenda gjysmë dite.

“Unë personalisht mendoja që në këto raste të paktën për një trup do të duheshin disa orë dhe të them të drejtën që të bëhen vlerësimi i këtyre trupave njëri pas tjetrit mbase mund të ketë dikush mundësinë të bëjë gjëra të shkëlqyera. Megjithatë, çështja është se kur ekzaminon më shumë se dy-tre trupa atëherë fillon e harron gjërat. Domethënë duket më e vështirë në bërjen e projeksioneve të duhura. Me ç’duket ai ia ka dal që të bëjë këtë punë. Kurse, mua personalisht më bën përshtypje, me duhet ta pranoj”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi se është habi se si patologu e ka përfunduar autopsinë e këtyre personave aq shpejtë. E gjithashtu ai pohoi se duke e parë një numër aq të madh të plumbave që supozohet që është shtënë mbi trupat, do priste që kolegu i tij patolog që bëri autopsinë të gjente ndonjë prej tyre në trupa.

Ai pohoi se është i befasuar nga fakti që nuk është gjetur asnjë plumb dhe as ndonjë mbetje të tyre.

“Po, është befasuese dhe mund ta them edhe sot këtë gjë. Është shumë e çuditshme sepse duket se nuk ka bërë as përpjekje për t’i kërkuar pjesëzat e plumbave. Është e çuditshme dhe me duhet ta them edhe njëherë. Duke parë numrin e konsiderueshëm në personin që kam parë unë të qëlluar me armë zjarri dhe duke marrë parasysh përvojën time, plumbat janë barut që përshkruajnë trupin me një shpejtësi të jashtëzakonshme, kështu që është e çuditshme një gjetje e tillë”, tha Clarke.

Clarke tha se këtë e bazon edhe në përvojën e tij në ekzaminimin e shumë trupave që janë qëlluar me armë zjarri.

Sipas avokates së Veselit, Ann Rowan, dëshmitari kishte thënë se duhet të ngrihen dyshime sa i takon mavijosjeve të pretenduara dhe interpretimit për shkakun e këtyre mavijosjeve.

Dëshmitari pohoi se dyshimi i tij është nëse konstatimet për mavijosen janë të vërteta.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates, dëshmitari pohoi se që si rezultat i asaj që ka parë në raportin e autopsisë, ai pyet vetën në qoftë se këta trupa kanë pasur apo jo mavijosje.

Në anën tjetër, dëshmitari pohoi se shqetësimi i tij tjetër është me interpretimin që i ka bërë patologu gjetjeve për mavijoset.


Clarke përshkruan viktimat që ZPS-ja ia prezantoi në fotografi, për disa thotë se kanë vdekur nga plumbi e disa janë goditur me mjete të forta

Ekspertit të mjekësisë ligjore, John Clarke, i janë prezantuar nga ZPS-ja fotografit e viktimave, duke i kërkuar shpjegim se çfarë konstaton ai si njohës i fushës.

Për disa nga viktimat ai tha që kanë vdekur nga plumbi, ndërsa për disa të tjera tha se janë goditur me instrumente të ndryshme të cilat kanë shkaktuar mavijosje në trupin e tyre.

“Mund të shikoni humbjen e ngjyrës ose kthimin e ngjyrës në të purpet brenda dhe në të dyja anët në fakt. Domethënë siç mund ta shikoni ngjyra ka ndryshuar është bërë si në të purpurt në të kucrremt. Përveç kësaj, në të majtë mund të shikoni një zonë që është më e purpurt dhe është më e thellë dhe në fakt është mavijosje. Është e çartë kjo dhe kjo ka ndodhur gjatë kohës kur personi ka qenë i gjallë. Është një zonë e gjerë. Pra, siç mund ta shikoni është një zonë gjerë e mavijosur e personit. Ka edhe disa viza të vogla që mund t’i shikoni aty. Ndoshta mund të jetë goditur me një instrument disi të gjatë”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë e prezantuara.

Ndërsa, në një fotografi tjetër, dëshmitari tha se dallon ndryshimet që ka pësuar trupi pas vdekjes si dhe mavijosje.

“Dalloj dy gjera kryesore në këtë fotografi. E para; janë ndryshimet pas vdekjes, për shembull të këmbët që është lividiteti, në pjesën e pasme të kofshëve, po ashtu kemi edhe thyerjen e këmbeve në pjesën e poshtme dhe këto janë ndryshime që kanë ndodhur pas vdekjes se personit. Ndërkohë sa i takon shpinës së tij, kemi një përzierje të leviditeit në shpinën e personit të vdekur. Kemi mungesë ngjyre ose kemi shpërndarjen e ngjyrës së purpurt, por mbi atë shikojmë të paktën disa mavijosje. Nëse nuk janë gërvishtje, më tepër duken si mavijosje dhe kemi gjithashtu kemi gërvishtje të lëkurës në pjesën e sipërme të shpinës që është më ngjyrë më të erret se në zonat e tjera”, tha Clarke.

Dëshmitari tha se këto gërvishtje dhe mavijosje zakonisht shkaktohen kur dikush qëllohet me ndonjë instrument të fortë që nuk ka të bëjë me thikën ose plumbin.

Kurse, për një trup tjetër në një fotografi dëshmitari tha se ka mavijosje që janë shkaktuar nga ndonjë objekt i gjatë.

“Është diçka shtesë që mund të shohim këtu. Pjesa e sipërme e trupit-shpinës, kryesisht në pjesën e djathtë shihet çartë mavijosja. Në pjesën e mesme të shpinës-në dy anët ka dy vija paralele diagonale dhe dy në anën e majtë në mënyrë diagonale. Këto janë ato që ne i quajmë vijat e mavijosja që janë të shkaktuara kur dikush goditet nga një objekt i gjatë- për shembull tyta e një arme, ndonjë send i gjatë e i hollë që shkakton vija mavijosje”, tha Clarke.

Kurse, për fotografinë e tretë dëshmitari tha se sheh dy mavijosje lineare në gjoksin e viktimës të cilat sipas tij më shumë mundësi janë shkaktuar nga një objekt i gjatë që ka goditur trupin. Meqë kjo viktimë ishte e ulur në karrige, dëshmitari tha në qoftë se nuk ka vdekur aty, rezultatet tregojnë që ai është vendosur aty pak kohë pasi ka vdekur.

Me kaq përfundoi pyetjet prokurori për të vazhduar më pas me avokaten e Kadri Veselit, Ann Rowan.

Dëshmitari pohoi se nuk ka bërë asnjë autopsi ndaj vikamave dhe se nuk ka qenë i pranishëm kur janë kryer ato. Madje, ai mohoi se ka pasur ndonjë rol mbikëqyrës kur janë bërë autopsitë.

Ai gjithashtu pohoi se raporti i tij është bërë sipas udhëzimeve të ZPS-së dhe kryesisht iu është përgjigjur pyetjeve që kjo e fundit i ka pasur. Si dhe mohoi që ZPS-ja iu ka kërkuar që të jep komente lidhur me cilësinë e punës mbi të cilën mbështetet ky raport.

Gjithashtu, ai mohoi se shprehimisht ZPS-ja ia kishte kërkuar që të paraqiste ndonjë prej kundërshtimeve që kishte në raport ose të përshkruante ndonjë gabim apo probleme që mund të ketë identifikuar.

Megjithatë, ai tha se gabimet ose problemet që ka hasur i ka evidentuar.

Ndërsa, për raportin e tij, ai tha se është përmbledhje e interpretimit të tij të konstatimeve që janë bërë në atë raport autopsie.


Patologu i mjekësisë ligjore, John Clarke nis dëshminë në Hagë

Pas përfundimit të dëshmisë së ish-këshilltarit të UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka filluar dëshminë dëshmitari i 115-të i Zyrës së Prokurorit të Specializur (ZPS), John Clarke, i cili mban kodin 04874 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është patolog i mjekësisë ligjore dhe është i thirrur për të japë dëshmi si ekspert.

Nga prokurori James Pace, dëshmitarit iu prezantua një raport për të cilin ai tha se e ka përgatitur në bazë të udhëzimeve që ia ka dhënë përmes një letre ZPS-ja. Megjithatë, shtoi se kjo akt-espertizë përmban opinionin e tij të pavarur.

Veç kësaj, dëshmitari pohoi se kohët e fundit iu dha mundësia që ta lexojqë edhe njëherë këtë akt-ekspertiz si dhe u bënë sqarimet e nevojshme. Ndërsa, sipas prokurorit Pace, ishte një çështje në raport që dëshmitari donte që ta trajtojë dhe kjo lidhej me një mospërputhje të autopsisë së një personi a më shumë personash.

“Po, ka pasur paqartësi për një raport postmortem”, tha dëshmitari Clarke.

Si rrjedhojë, me kërkesën e prokurorit seanca kaloi në private, me arsyetimin për mirëqenien e anëtarëve të familjes së viktimës.

Pasi që u hap seanca, prokurori lexoi pjesë nga raporti ku thuhet se shpjegohen plagët që janë bërë përmes të shtënave me armë ndaj një viktime. Në të, thuhej se pavarësisht se sa ka qenë numri i saktë i plumbave dhe pjesëve të trupit që janë përshkuar me armë, nuk ka asnjë dyshim që vdekja është shkaktuar nga arma.

Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitari, duke shtuar se këtë konstatim e kishte bërë pasi plumbat kishin hyrë dhe dalë nga trupi i viktimës. Ngjashëm, eksperti foli edhe për një viktimë tjetër dhe shkakun e vdekjes së tij.

“Viktima ka vdekur si rezultat i të shtënave me armë. Kjo është e verifikueshme përmes pikave hyrëse dhe dalëse të plumbit”, tha Clarke.

Në prova gjyqësore u pranua akt-ekspertiza e këtij dëshmitarit së bashku me letrën prej udhëzimeve të ZPS-së.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se dëshmia e Clarke pritet të zgjas rreth dy ditë. Nga kjo kohë, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth dy orë, ndërsa ekipet e mbrojtjes rreth pesë orë për kundërpyetje

Kujtojmë se gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer u mor në pyetje edhe na avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, i cili një pjesë të pyetjeve i bëri në seancë private.


Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Siç e kemi kuptuar, Shërbimi Informativ s’ishte në përputhje me Rezolutën 1244

Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer deklaroi të mërkurën në Hagë se nga ajo siç e kishin kuptuar Rezolutën 1244, një shërbim tjetër apo edhe organizatat që funksiononin si gjysmë-shtetërore, nuk kanë qenë në përputhje me Rezolutën. Kjo tha se vlente edhe për Shërbimin Informativ.

Këtë deklarim, Strohmeyer e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Guénawl Mettraux , i cili i tha se sipas Rezolutës 1244, a ishte Kosova e autorizuar që të kishte ndonjë shërbim informativ, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas nesh, nuk duhej të kishte asnjë organizatë tjetër që të funksiononte funksione kuazi apo gjysmë shtetërore qoftë kjo UÇK-ja apo ndonjë grupim tjetër. Për ne, nuk mund të kishte ndonjë organizatë tjetër që mund të ushtronte funksione si ndalime, arrestime, gjykime, procese gjyqësore apo nuk mund të ushtronin funksione të një ministrie që përbëjnë një shtet apo Qeveri në kushte normale. Pra, sipas nesh, kjo vlente edhe për një Shërbim Informativ. Për ne kjo ka qenë e qartë dhe ishte qëndrimi ynë”, tha ai.

Në kohën kur ishte larguar nga Kosova në gusht të 1999-ës, dëshmitari tha se i kujtohet që procesi i demilitarizimit të UÇK-së ishte në vazhdimësi e sipër.

Pyetjet plotësuese për dëshmitarin i filloi aokvati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se çfarë uniforma kanë veshur anëtarët e Forcës së Armatosur të Kosovës (FARK) dhe se nuk do mund t’i dallonte nëse ata kanë veshur uniforma të tyre apo të UÇK-së.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet plotësuese të përfaqësuesit të Veselit, avokatit Rodney Dixon, dëshmitari tha se roli i tyre ishte tranzitor dhe iu ishte bërë e qartë që aty ishin për të bërë kornizën institucionale së bashku me organizatat ndërkombëtare.


Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Ka qenë e qartë se Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike

Ish-këshilltari i UNMIK-ut në Kosovë, Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se për atë ka qenë gjithmonë e qartë se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

“Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, sipas gjyqtarit Guénaël Metraux, gjenerali i UNMIK-ut, Mike Jackson kishte thënë se sipas asaj që ai kishte kuptuar, roli dhe pushteti i Thaçit ishte i krahasueshëm me atë të kryekomandantit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari tha se Jackson e kishte përshkruar Agim Çekun si ushtarakun më të lartë në UÇK në atë kohë dhe si vartës i Thaçit.

“Besoj që e kam deklaruar më parë dhe e pash në dokumente që zoti Thaçi kishte nënshkruar angazhimin si kryekomandant. Pra, nga ndërveprimet tona nga ana civile me të, ne nuk e kemi konsideruar zoti Thaçin si kryekomandant-kryekomandant ushtarak. Zoti Jackson kishte një bisedë tjetër dhe një realitet tjetër që ishte në një mjedis ushtarak dhe mund të jetë ky aspekti që Thaçi paraqitej në këtë mënyrë para Jackson. Për neve ishte gjithmonë e qartë. Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti. Zoti Thaçi ishte personi tek i cili duhej të adresoheshim dhe drejtoheshim”, tha Strohmeyer.

Në anën tjetër, për Agim Çekun, dëshmitari shtoi se nga pikëpamja funksionale ai ishte ushtaraku më i lartë me të cilin kishin kontaktuar për aspekte teknike.

“Sa i takon zotit Çeku, ishte e qartë që nga pikëpamja funksionale ashtu siç u përshkrua, ishte ushtaraku më i lartë, ishte personi me të cilin kontaktonim sa i takon aspekteve teknike. Do të thotë, ai ishte personi me të cilin komunikonte gjenerali Jackson”, tha ai.

Ndërsa, në një takim që pretendohet se është bërë në korrik të 1999-ës lidhur me forcën policore, Strohmeyer tha që Thaçi iu kishte thënë që Agim Çeku ishte personi tek i cili duhej të drejtoheshin.

“Ajo që kuptova pra që ‘lidhur me këto çështje merruni me këtë person’, që përforconte perceptimin që ky ishte udhëheqësi në këto rrethana… dhe pastaj ishte ai personi që merrej me këto çështjet teknike apo me çështjet më të specializuara të kësaj çështje”, tha dëshmitari.

Strohmeyer theksoi se nuk e di se kush e emëroi Agim Çekun si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për atë kohë. Po ashtu, tha se nuk ka qenë në dijeni që ka pasur shenja rebelimi brenda udhëheqjes së UÇK-së gjatë periudhës së Rambujesë.

Strohmeyer thotë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës s’kishte ekzistencë ligjore
Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.

Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari gjithashtu theksoi se ata nuk i kanë konsideruar fare dekretet apo vendimet e marra nga kjo Qeveri. Pra, sipas tij, ato nuk kishin vlerë nga pikëpamja ligjore. Madje, pohoi se kjo vlente edhe për emërimet e bëra nga kjo Qeveri.

Strohmeyer tha se është e saktë të thuhet që ata nuk iu kanë drejtuar Thaçit dhe Agim Çekut në bazë të pozitës që kanë mundur ta mbajnë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës

Në seancën e së mërkurës, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Back to top button