Conte: Jemi shumë vite larg Chelseat

Antonio Conte pretendon se Tottenhami është shumë vite larg nga niveli i Chelseat pas humbjes 2-0 të së dielës në Premier Ligë në “Stamford Bridge”.
Golat e Hakim Ziyech dhe Thiago Silvas i dënuan “Spursat” me humbjen e katërt të sezonit kundër rivalëve të tyre londinez.
Skuadra e Contes humbi të dyja ndeshjet gjysmëfinale të Kupës EFL ndaj Chelseat dhe tani ka kaluar gjashtë ndeshje radhazi pa shënuar kundër kampionëve të Evropës.
Pas humbjes së fundit ndaj Chelsea-t, që mund t’i kushtojë shumë sa i përket mundësisë për t’u renditur në top katërshen e Premier Ligës, ish-trajneri i Interit sugjeroi se do të duheshin shumë investime për të ndërtuar një skuadër të aftë për të luftuar me më të mirët.
“Nuk më pëlqen të humbas. Të komentoj një humbje është gjithmonë e vështirë për mua. Por të kesh nëntë ndeshje radhazi pa humbje ishte e rëndësishme, dhe në këtë moment, diferenca me ekipet e tjera, si Chelsea është e madhe”, tha ai për “Sky Sports”.
Kur u pyet për forcimin e skuadrës para mbylljes së afatit kalimtar, ai tha: “E përsëris, ky nuk është momenti i duhur. Klubi e di shumë mirë se çfarë mendoj unë. Në pesë vitet e fundit, ky hendek u bë shumë, shumë i madh. Tani, nuk është e thjeshtë të gjesh zgjidhjen në një kohë të shkurtër. Jam i fokusuar vetëm te lojtarët që punojnë. Kemi katër muaj që të përpiqemi të japim gjithçka. por nëse mendojmë se e zgjidhim situatën me tregun e transferimeve, nuk është realiteti. Duhen shumë vite. Sigurisht, ne duhet të fillojmë, dhe ka një pikë për të filluar. Për shumë vite, cilësia e skuadrës ra në vend që të përmirësohej.”, tha në fund trajneri italian.

Back to top button