CorrWatch cilëson antiligjor emërimin sekretarit të Kryeministrisë

Iniciativa CorrWatch e ka cilësuar si ta antiligjor emërimin e Arben Krasniqit si sekretar i Zyrës së Kryeministrisë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë

Sipas CorrWatch, emërimi i sekretarit nuk ka ndjekur kushtet dhe pozitat ligjore. Në reagim thuhet se pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i procesit të rekrutimit për këtë pozitë, Qeveria ka emëruar kandidatin e tretë në listën e tre kandidatëve fitues.

“Pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i procesit të rekrutimit për këtë pozitë, Qeveria ka emëruar kandidatin e tretë në listën e tre (3) kandidatëve fitues. Sipas paragrafit 1 të nenit 42 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë (LZP), mbi bazën e të cilit është zhvilluar procedura e rekrutimit, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë (në këtë rast Kryeministri) është i obliguar të përzgjedhë një nga kandidatët fitues të propozuar brenda një afati dhjetë (10) ditor nga shpallja e listës së fituesve, sipas paragrafit 8 të nenit 40. Në këtë rast, afati 10-ditor ka kaluar, pasi lista e kandidatëve fitues është shpallur më 15 korrik 2022”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga konsorciumi i organizatave i përbërë nga GLPS, GAP dhe INDEP.

“CorrWatch i bën thirrje Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë proces dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për anulimin e këtij vendimi.  Ky vendim përveç se bie ndesh me dispozitat ligjore, dëmton integritetin e institucioneve publike në këtë rast Zyrën e Kryeministrit si dhe në përgjithësi proceset e rekrutimit të pozitave të larta dhe mund të shërbej si precedent i keq edhe në institucionet tjera”, thuhet në reagim.

Krasniqi sot u emërua si sekretar i Kryeministrisë pasi e ka ushtruar këtë funksion si ushtrues detyre që kur Fitim Krasniqit nuk i vazhdua mandati në vitin 2021.

Back to top button