COVID-19 te fëmijët dhe adoleshentët
Pas rritjes së rasteve me Covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë(MSH) vazhdimisht u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Covid-19.
Të rrezikuar nga infektimi me Covid-19 janë edhe fëmijët dhe adoleshentët. Lidhur me këtë Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa këshilla për prindërit që t’i mbajnë fëmijët e tyre të sigurt.
MSH-ja ka treguar edhe simptomat më të zakonshme që kanë fëmijët në rast të infektimit me Covid-19. Vaksinimi vazhdon të jetë arma e vetme që lufton Covid-19 edhe tek fëmijët dhe adoleshentët sipas Ministrisë së Arsimit./21Media
Udhëzues për COVID-19 për prindërit
Çfarë duhet të dini për të mbajtur fëmijët tuaj të sigurt!
COVID-19 te fëmijët dhe adoleshentët
Si ndikon Covid-19 te fëmijët dhe adoleshentët.
Ashtu si të rriturit, fëmijët dhe adoleshentët mund të:
• Sëmuren rëndë nga COVID-19
• Kenë probleme shëndetësore afatshkurtra dhe afatgjata
• Përhapin COVID-19 te të tjerët, në shtëpi, shkollë, etj.
Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur paraprakisht se si fëmijët ose adoleshentët do të përballen me COVID-19. Megjithatë, fëmijët me probleme shëndetësore ose që kanë sistem imunitar të dobësuar kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë nga COVID-19. Por, edhe fëmijët pa probleme shëndetësore mund të përjetojnë gjendje të rëndë nga COVID-19. Në fakt pothuajse gjysma e fëmijëve më të vegjël se 18 vjeç të shtruar në spital me COVID-19 nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër kronike .
Pra, COVID-19 mund t’i bëjë fëmijët dhe adoleshentët e çdo moshe të sëmuren rëndë dhe ndonjëherë të kërkojnë trajtim në spital.
A mund të përjetojnë efekte afatgjata fëmijët që infektohen me COVID-19?
Kushdo që ka pasur COVID-19 mund të përballet me COVID-19 të zgjatur. Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët me COVID-19 të lehtë dhe të rëndë kanë përjetuar simptoma afatgjata.
Simptomat më të zakonshme te fëmijët përfshijnë:
• Lodhje
• Dhimbje koke
• Probleme me gjumin
• Probleme me përqendrimin
• Dhimbje të muskujve dhe kyçeve
• Kollë.
Këto simptoma mund të ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për të ndjekur shkollën ose për të kryer aktivitetet e tyre të zakonshme. Në rast të simptomave afatgjate të COVID-19, flisni me mjekët dhe mësimdhënësit për nevojat e fëmijëve tuaj.
VAKSINIMI I FËMIJËVE KUNDËR COVID-19
Vaksinimi kundër COVID-19 është mënyra kryesore për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 dhe ndërlikimet e tij. Kosova filloi vaksinimin kundër COVID-19 me 29 Mars 2021 në popullatën 16+. Me 2 Nëntor 2021 Ministria e Shëndetësisë aprovoi edhe vaksinimin e grup-moshës 12-15 vjeç me dozën e parë dhe të dytë (seria primare) . Ndërsa, me rekomandim të Komitetit për vaksinim u aprovua edhe doza pediatrike për grup-moshën 5-11 vjeç. Sa i përket dozës përforcuese, popullata e kualifikueshme është 12+. Kjo dozë rekomandohet të jepet së paku 5 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.
Vaksina e aprovuar për personat mbi 5 vjeç e cila jepet në Kosovë është vaksina Pfizer BioN/Tech. Për grup-moshën 5-11 vjeç jepen dozat pediatrike (që janë doza më të vogla, të përshtatshme për këtë grup-moshë), ndërsa për grup-moshën 12+ jepen dozat e rregullta
Vaksinimi kundër COVID-19 i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të ndihmojë në menaxhimin e pandemisë duke:
• Mbrojtur fëmijët nga gjendja e rënduar shëndetësore në rast të infektimit
• Lejuar vazhdimin e aktiviteteve në shkollë ose në çerdhe
• Lejuar pjesëmarrjen e sigurt në sporte, vendet e lojës dhe aktivitete të tjera në grup.
Si u përcaktua siguria, efektiviteti dhe efikasiteti i vaksinave Pfizer-BioN/Tech COVID-19 për përdorim te fëmijët dhe adoleshentët?
Komiteti për përdorimin e produkteve mjekësore te njerëzit (CHMP) të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) me 28 maj 2021 rekomandoi përdorimin e vaksinës Pfizer-BioN/Tech te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Kurse, me 25 nëntor 2021 u rekomandua fillimi i përdorimit të dozës pediatrike te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Efektiviteti dhe efikasiteti i vaksinës u hulumtuan dhe u testuan në fëmijë të moshës 5-11 dhe 12-15 vjeç. Studimet u miratuan nga Komiteti Pediatrik (PDCO) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA). Studimet treguan se përgjigja imunitare në këto grup-mosha është e krahasueshme me përgjigjen imunitare të grup-moshës 16-25 vjeç (e matur nga niveli i antitrupave kundër SARS-CoV-2).
Provat klinike dhe monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë tregojnë se vaksinimi COVID-19 është i sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.
A ka kundërindikacion ndaj vaksinave kundër COVID-19?
Reagimi alergjik (anafilaksia) pas marrjes së vaksinave kundër COVID-19 (mARN) është raportuar rrallë. Nëse ndodh reagimi alergjik pas dozës së parë të vaksinës, nuk duhet të jepet doza e dytë e vaksinës. Prandaj, reagimi i mëhershëm alergjik ndaj ndonjë përbërësi të vaksinës është kundërindikacion i vaksinës.
EFEKTET ANËSORE TË VAKSINËS COVID-19 TEK ADOLESHENTËT
Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë disa efekte anësore pas marrjes së vaksinës COVID-19 të cilat janë të lehta dhe zakonisht zhduken brenda pak ditësh.
Disa adoleshentë nuk kanë fare efekte anësore. Efektet anësore të zakonshme pas marrjes së dy dozave të para të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 të raportuara në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve janë:
• Lodhje
• Ethe
• Dhimbje koke
• Dhimbje në krahun ku është bërë injektimi
Vendosja e një lecke të ftohtë dhe të lagur në zonën e krahut ku është dhënë vaksina mund të ndihmojë. Pyesni mjekun familjar për këshilla lidhur me menaxhimin e efekteve anësore eventuale.