Cramon i reagon ashpër Listës Serbe: Dorëzoni listën zgjedhore sa më shpejt në KQZ

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar pasi Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që do të mbahen në veri të Kosovës.

Cramon kërkoi që ky subjekt politik sa më shpejt ta dorëzojë listën zgjedhore.

“Na vjen keq shumë për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Kërkojmë që të dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë. Apel për të gjithë aktorët përkatës Kosovës dhe Serbisë për të demonstruar përkushtim ndaj Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe Aneksit si me fjalë ashtu edhe me veprime”, ka shkruar Cramon në Twitter.

Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”. “Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës./21Media

Back to top button