Daçiq për liberalizimin: Është kundërproduktive të shpërblehet Prishtina
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq është deklaruar rreth pajtueshmërisë që u arrit sot në Bruksel në mesin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së që Kosovës t’i jepet drita jeshile për liberalizim të vizave.
Siç thotë Daçiq “është kundërproduktive që institucionet në Prishtinë të shpërblehen me vendimin për fillimin e liberalizimit të vizave” dhe se sipas tij “Qeveria në Kosovë është pengesë për vazhdimin e dialogut dhe rrezik për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
“Kjo nuk është mirë as për Bashkimin Evropian, sepse tregon se nuk ka autoritet, tregon se ka standarde të dyfishta. Nuk e di se çfarë mesazhi do të ishte ky për Serbinë, e cila ka qenë e saktë gjatë gjithë këtyre viteve, e cila ka qenë një partner i parashikueshëm dhe që vazhdimisht përballet me kërcënime, presione dhe kushte, ndryshe nga përfaqësuesit e Prishtinës, të cilët praktikisht shpërblehen për mospërmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtarisht”, tha Daçiq në një deklaratë për Tanjug.