Daja: Fitoren e sotme ia dedikojmë gjithë Kosovës

Kampioni kosovar, Ballkani shënoi sot fitore historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke e mposhtur në Turqi skuadrën e Sivassporit.
Pas afro 100 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Yeni 4 Eylul”, Ballkani shënoi fitore me rezultat të ngushtë 4:3 si mysafirë i Sivassporit.
Ndërkaq pas ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se këtë fitore klubi ia dedikon të gjithë Kosovës.
Po ashtu, Daja tha se shpreson që në ndeshjen e radhës të ketë përkrahjen e “Xhebrailave” dhe gjithë tifozëve kosovarë.
“Sot ia dedikojmë fitoren gjithë Kosovës. Me gjithë mungesat, lojtarët qe u futën e vazhduan dhe luajtën shumë mirë. Shpresoj që në ndeshjen tjetër të kemi mbështetjen e gjithë ‘Xhebrailave’ dhe të gjithë Kosovës, dhe pse jo të fitojmë sërish”, tha Daja.
Pas fitores së sotme, Ballkani tani ngjitet në pozitën e dytë në Grupin G në kuotën e katër pikëve, aq sa ka edhe Sivasspori në vendin e tretë.

Back to top button