Mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

(Lajm i përditësuar)

 

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, është ndërprerë seanca fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, akuzohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq tha se nuk ka vërejtje në përbërjen e trupit gjykues, por në prokurorin Bekim Kodraliu, për të cilin kërkoi që të përjashtohet nga lënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Vllajiq kërkoi që Kodraliu mos ta marrë këtë personale.

Sipas tij, i mbrojturi i tij është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhje të provave më 6 dhjetor. Thotë se këtë kërkesë ia parashtroi prokurorit të shtetit dhe gjykatës, dhe se provat ua dorëzoi të dyja palëve.

Avokati thotë se prokurori i atëhershëm ka qenë Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu. Vllajiq pretendon se asnjë veprim nga provat që i ka propozuar, nuk është ndërmarrë.

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me 4 persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale- kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, u shpreh Vllajiq.

Ai tha se prokurori e ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

Më tutje, avokati tha se disa prova janë humbur përgjithmonë. Dhe se askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit nëse dikush nuk e urdhëron këtë. Andaj, sipas tij, janë shkel dispozitat e nenit 3 dhe 5 të KPP-së, të cilat flasin për një proces të drejtë dhe të drejtën për mbrojtje.

Sipas tij, me gjithë shkeljet e pretenduara, nxiten dyshime për paanshmëri të prokurorit të shtetit, ngase siç thotë ai, veprimi i deritashëm nuk ka qenë i paanshëm.

Vllajiq shtoi se gjyqtari posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar që të ndërpresë punën në lidhje me lëndën.

Po ashtu, ai theksoi se kërkesën për përjashtim e prokurorit Kodraliu, e ka dërguar edhe tek kryeprokurorit, ndërsa sot tek prokrori në fjalë dhe në gjykatë, duke konsideruar se është kërkesë e bazuar dhe se pas vendimit të gjyqtarit do të vazhdojnë me procedurën.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq tha se i bashkëngjitet kërkesës së kolegut të tij. Tha se ka parashtruar kërkesë tek prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

Por, sipas Deleviq, deri sot prokrurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje. Tha se krahas neneve të përmendura nga Vllajiq, prokrori ka shkel edhe nenin 47 të KPP-së.

Bazuar në të gjitha këto, tha se konsideron që kërkesa e avokatit Vllajiq është tërësisht e bazuar dhe i propozoi Gjykatës ta ndërpres këtë seancë derisa të sqarohet kërkesa.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, avokatja Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.

Më pas, prokurori Kodraliu tha se ndoshta mbrojtjes nuk iu pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se ai sulm ka qenë i përgatitur profesionalisht dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe dëgjuat edhe sot. Tha se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se ju kanë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, prokurori thotë se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenu direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, tha Kodraliu.

Më tej, ai theksoi se kanë konsideruar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh 5 arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, tha ai, duke sqaruar këto rrethana.

Në fund, tha se i mbetet në kompetencë gjyqtarit nëse vendos për ndërprerjen e seancës.

Më pas, gjykatësi Vesel Ismaili mori vendim që të ndërpritet seanca, pasi tha se janë të obliguar të ndërpesin çdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje. Andaj, për caktimin e seancës së radhës, presin deri në vendim të kryeprokurorit lidhur me kërkesën.


Dalin para gjykatës të akuzuarit për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj dy vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq kërkoi përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu nga kjo lëndë, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Sot mbahet seanca fillestare për shpërthimin në Ibër-Lepenc

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca fillestare në rastin e shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc në fshatin Varragë, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”, shkruan REL.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit”.

Ata, sipas aktakuzës, aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante që e kishin lidhur me litar për një shtyllë betoni, çka bëri që të dëmtohej rëndë struktura prej betoni e kanalit Ibër–Lepenc, të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm, të rrezikohej prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ndërmarrjes Ibër–Lepenc t’i shkaktohej dëm në vlerë prej gati 400 mijë eurosh.

Çfarë është Ibër–Lepenci?

Ndërmarrja kosovare Ibër–Lepenc, me seli në Prishtinë, furnizon me ujë të papërpunuar impiante industriale dhe shërben për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

Kjo ndërmarrje furnizon me ujë edhe disa qytete në Kosovë nga liqeni i Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.

Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.

Ndërtimi i këtij hidrosistemi është zhvilluar në dy faza: faza e Ibrit, e cila përfundoi në vitin 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua kurrë.

Sot, kjo ndërmarrje është shoqëri aksionare, 100 për qind në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Prokuroria Speciale Jovan Viqentijeviqin e akuzon gjithashtu për spiunazh, pasi, siç thuhet, deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Në hetimin e këtij rasti, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë, ndërsa janë sekuestruar edhe armë dhe eksploziv.

Diplomatë amerikanë kanë deklaruar më herët se në hetim kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.

Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim./REL

Back to top button