Dalja në treg të lirë të energjisë, nesër protestojnë sërish bizneset

Organizatat e bizneseve kanë njoftuar se nseër në ora 11:00 deri në 12:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet protestë kundër vendimit të Zyrës të Rregullatorit të Energjisë për tregun e lirë të energjisë.
Në një konferencë për media sot Kryetari i Odës Ekonomike të Kosoëvs Lulzim Rafuna kërkoi që Qeveria të reflektojë.

“Kërkesë e bizneseve është që vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji t’u jepet një vit që të përgatiten për tregun e lirë të energjisë. Ka shumë biznese që nuk janë të njoftuar për këtë proces. E kam thënë edhe më herët po bëhet nxjerrje e dhunshme të 1300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë”, ka thënë Rafuna.

Derisa kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se ky vendim ka prekur 1300 biznese.

“1300 biznese janë në hall. Bizneset sot janë duke punuar dhe prodhuar, por nesër presim një protestë shumë të madhe me pjesëmarrje masive të pronarëve dhe punëtorëve. Ftoj të gjitha bizneset të solidarizohen me këto 1300 biznese.”, është shprehur Shahini.

Kryetari i bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi ka thënë se nga 1300 biznese, vetëm tri kanë arritur marrëveshje me KEK-un.

“Mbi 99 për qind e bizneseve nuk kane arritur marrëveshje sepse nuk janë të kënaqur dhe i dinë pasojat e kësaj marrëveshjeje… Ne ftojmë qytetarët të cilët do të jenë të afektuar më së shumti, punëtorët dhe bizneset që nesër të gjithë të dalin në shesh dhe të protestojnë për këtë veprim të shpejtë. Të gjitha bizneset planifikimet i kanë bërë për këtë vit dhe nuk i kanë llogaritur se do të ketë rritje të çmimit se as nuk e dinë se çfarë çmimi do të marrin në fund të çdo muaji për shkak se do jetë një çmim tregu dhe është i paparashikueshëm dhe çmimet pastaj do të hypin në qiell dhe dëmet do të jenë të mëdha”, ka deklaruar Krasniqi.

Back to top button