Dalja në zgjedhje në Shqipëri deri në orën 15:00, ishte rreth 33 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë publik pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje ditën e sotme deri në orën 15:00.
Deri në orën 15:00 kanë marrë pjesë 32.99% e zgjedhësve që votojnë brenda vendit, bën me dije KQZ.
Ndërkohë vihet re se Vlora është qarku me përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes.
3.7 milion qytetarë do të votojnë sot për të zgjedhur parlamentin e ri të Shqipërisë dhe forcën politike që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Në këto zgjedhje janë regjistruar 8 parti dhe 3 koalicione dhe në total janë në garë 2.046 kandidatë të cilët garojnë për 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë që do të zgjidhen në bazë të sistemit proporcional rajonal.
Në të gjithë vendin janë ngritur 5.225 qendra votimi dhe 93 qendra numërimi; ndërkohë që në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Vorë aplikohet si projekt pilot votimi dhe numërimi elektronik.
Në listën e zgjedhësve 114.642 janë votues për herë të parë. Ndërkohë që për shkak të ligjit të dekriminalizimit 1.081 shqiptarë që janë dënuar për krime të rënda nuk kanë të drejtë të votojnë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, 246 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë garë elektorale. /vizionplus.tv
