Danimarka i kërkon emigrantëve të punojnë për ndihmën sociale

Disa emigrantë në Danimarkë do të duhet të punojnë tanimë për të vazhduar të përfitojnë ndihmën sociale nga shteti.
Kërkesa po bëhet për ata që kanë tre deri në katër vjet që marrin ndihmat dhe nuk kanë arritur ende nivel të mirë të gjuhës daneze.
Kryeministrja Mette Frederiksen, tha se rregullat kanë të bëjnë kryesisht me gratë me prejardhje “jo-perëndimore”, që jetojnë me ndihmë sociale.
Danimarka ka shtrënguar vazhdimisht politikat e saj të emigracionit vitet e fundit.
Ajo ka disa nga rregullat më të ashpra në Evropë për çështjen dhe i ka vënë objektiv vetes arritjen e ‘zero aplikimeve’ për azil.
Qeveria thotë se plani i ri ka si objektiv të ndihmojë që emigrantët të asimilohen në kulturën e shoqërinë daneze, por kritikët thonë se shumë nga rregullat janë të padrejta e të keqinterpretuara.
“Ne duam të sjellim një logjikë të re ku njerëzit duhet të kuptojnë se e kanë për detyrë të kontribuojnë e të jenë të dobishëm, edhe nëse nuk kanë një punë me kohë të plotë, për të marrë ndihmat e tyre,” tha Frederiksen.
“Për shumë vjet i kemi bërë këtë të keqe shumë njerëzve duke mos kërkuar asgjë prej tyre”, shtoi ajo.
Frederiksen tha se gjashtë në çdo 10 gra emigrante nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut apo Turqia, nuk punojnë.
“Kjo kthehet në një problem kur ke një ekonomi të fortë dhe biznesi kërkon krahë pune. Dhe ne kemi këtë grup të madh, kryesisht gra me prejardhje jo-Perëndimore që nuk janë pjesë e tregut të punës”.
Ministri vendas i punësimit Peter Hummelgaard, tha se vendet e gatshme të punës përfshijnë shume aspekte, nga ‘mbledhjen e bishtave të cigareve në plazh’, deri në fabrike.
Por kreu i partisë së majtë Lista e Unitetit, Mai Villadsen, kritikoi ashpër planin.
Nejat Chafehi, një emigrante 51-vjeçare në Kopenhagen, tha se rregullat e reja “nuk janë zgjidhje”.

Back to top button