Dardan Molliqaj tregon pse e mori postin e liderit të PSD-së
Dardan Molliqaj në krye të PSD-së
Këshilli Drejtues i Partisë Socialdemokrate, pa praninë e mediave, ka zgjedhur sot për kryetar të kësaj partie Dardan Molliqaj. Ai me votim të fshehtë mori 83.7% të votave, duke marrë kështu postin e të parit të kësaj partie nga Shpend Ahmeti.
Përmes një shkrimi në Facebook, Dardan Molliqaj, i cili ishte i vetmi në garë për kryetar të PSD-së, ka treguar arsyet pse ka pranuar t’i prijë kësaj partie, e cila gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit ishte në koalicion të përbashkët me AAK-në, por nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.
“Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheq PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë”, shkruan Molliqaj.
“Ju falënderoj për entuziazmin e mbështetjen që e treguat sot. I falënderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës.“, përfundon ai shkrimin e tij.
Ndryshe, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se ka vendosur të mos kandidojë për të parin e partisë për shkak të rezultateve zgjedhore dhe se dëshiron të merre me punët si kryetar i Komunës së Prishtinës. /21Media