Dardanët e zhvilluan stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Suedisë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Stokholm, ku të shtunën, në orën 18:00, do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë.
Seanca stërvitore u zhvillua në Kompleksin e FFK-së, në Hajvali, nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë.
Ekipit në këtë stërvitje iu bashkua edhe mesfushori i Ipswich Town, Bersant Celina.
“Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvisim edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për Suedi, ngase edhe atje na pret një mot i tillë. Kësaj radhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për neve dhe besoj se secili prej neve është 100 përqind i gatshëm për lojë. Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para “Dardanëve” dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falenderim i madh shkon për ata, ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Fidan Aliti.
Ndërkaq, Milot Rashica ka shprehur shpresën që Kosova do të ketë paraqitje të mirë sikurse në ndeshjet e muajit shtator dhe do të arrijë të kthehet me rezultat pozitiv.
“Sot ka qenë një stërvitje më e lehtë, duke pasur parasysh se dje ka qenë intensiteti shumë më i madh. Gjatë gjithë javës kemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht se do të shkojmë për rezultat pozitiv. Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, tha Rashica.
Kombëtarja e Kosovës niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, në orën 18:00./21Media

Back to top button