Dardanet kryejnë stërvitjen e fundit para ndeshjes me Bullgarinë

Kombëtarja e Kosovës nën përfaqësimin e femrave ka mbajtur sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, për ndeshjen kundër Bullgarisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, ka njoftuar FFK.
Kjo ndeshje do të zhvillohet nesër më 1 dhjetor, në orën 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, raporton rtv21.tv.
Futbollistet Edona Kryeziu dhe Elizabeta Ejupi u shfaqën optimiste për ndeshjen kundër Bullgarisë derisa thanë se fitorja në këtë takim do t’ia mundësojë Kosovës avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, ka shkruar FFK në Facebook.
“Nga fillimi jemi fokusuar për t’i përmirësuar gabimet e ndeshjeve të kaluara në mënyrë që ta fitojmë këtë ndeshje. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe nuk mendojmë për ndonjë rezultat tjetër përveç fitores. Me këtë fitore sigurojmë kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, prandaj është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj të dalim me fitore” tha Edona Kryeziu.
Ndërsa Elizabeta Ejupi ka thënë se “ Kemi pasur një atmosferë të mirë në kamp, kemi kaluar shumë mirë dhe besoj se jemi gati për ndeshje. Jemi të emocionuara shumë për këtë përballje dhe synimi është fitorja dhe mezi presim ditën e ndeshjes. Kemi shikuar ndeshje të Bullgarisë, kemi bërë analizën me grupin dhe besoj se i kemi shikuar të gjitha gjërat për të qenë gati.”
Ndërsa në ndeshjen e parë të zhvilluar në Plovdiv, Kosova barazoi me Bullgarinë (0:0), derisa në dy ndeshjet me Maqedoninë e Veriut ka shënuar fitore (3:1 dhe 2:0)./21Media