”Dardanët” mesazh për lojtarët: Hyni në fushë për interesin e Kosovës, jo për ego personale
Kosova do të kthehet në fushë ejnten ndaj Irlandës së Veriut, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Pas humbjes ndaj Greqisë, tifo-grupi ”Dardanët” kanë shkruar po punojnë shumë që ndeshja të ketë organizim të mirë.
Ata kanë mesazh edhe ndaj disa lojtarëve, që sipas Dardanëve, nuk po e japin maksimumin në fushë. Tifo-grupi ”Dardanët” kanë kërkuar nga lojtarët të mos hyni në fushë për ego personale.
“Gjenerata të tëra e kanë pasur ëndërr ta shohin topin të rrokulliset lirshëm për ta përfaqësuar vendin tonë. Një fat të tillë na ra hise ta shijojmë tek viteve të fundit.
Pesha e ndeshjeve të Kosovës ka kuptim më të gjerë sesa thjesht një lojë futbolli që zgjat 90 minuta. Kosova duhet konceptuar si përgjegjësi e privilegj, jo përfitim e neglizhencë. Koha e fundit t’i thërrasim mendjes dhe ndërgjegjes të gjithë, pa anashkaluar askënd, as tifozët, por në veçanti disa futbollistë. Pra, e përfshijmë edhe veten në kritikë. Grumbullimet e Kosovës nuk janë ekspeditë dhe eksksurzion, por një periudhë nga e cila kërkohet më shumë përkushtim e djersë, sesa demagogji e arsyetime.
Dhe, po. Jemi duke punuar. Nuk na kanë demoralizuar rrethanat që u krijuan në ndeshjen e fundit për ta lënë pas dore organizimin për ndeshjen që po vjen. Për lojtarët një mesazh i vetëm: hyni në fushë për interesin e Kosovës, jo për ego personale.Dashuri që nuk shterron është Kosova”, kanë shkruar ‘Dardanët” në Facebook.
Kosova ka pësuar disfatë nga Greqia me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e dytë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve që u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”./21Media