Dardanët triumfojnë në Suedi dhe ëndrra për Botërorin mbetet gjallë

(Lajm i përditësuar)

 

Kosova ka arritur një fitore të madhe ndaj Suedisë, duke triumfuar 1-0 në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Goli vendimtar erdhi në pjesën e parë nga Fisnik Asllani, i cili finalizoi një aksion të shpejtë me një goditje të saktë në rrjetën suedeze. Mbrojtja e Dardanëve qëndroi solide gjatë gjithë ndeshjes, duke rezistuar presionin e suedezëve deri në minutat e fundit dhe duke siguruar tre pikët e rëndësishme.

Me këtë fitore, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B me 7 pikë, tre më pak se liderja Zvicra, që ka 10 pikë. Slovenia renditet e treta me 3 pikë, ndërsa Suedia mbetet e fundit me vetëm 1 pikë.

Ky sukses i mban gjallë shpresën për një kualifikim historik në Kupën e Botës, ndërsa ndeshjet e ardhshme të kualifikimeve do të jenë vendimtare për të konsoliduar pozitat e Kosovës në grup.


Kosova gjithnjë e me afër fitores ndaj Suedisë

Kanë kaluar më shumë se 70 minuta lojë në ndeshjen mes Suedisë dhe Kosovës, e cila po zhvillohet në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut. Rezultati mbetet i pandryshuar, 1-0 në favor të Kosovës, falë golit të shënuar në pjesën e parë nga Fisnik Asllani.

Dardanët po vazhdojnë të mbrojnë me disiplinë dhe po kërkojnë të ruajnë epërsinë historike ndaj suedezëve, ndërsa vendasit po shtojnë presionin në kërkim të barazimit. Loja po zhvillohet me intensitet të lartë, me shumë duele në mesfushë dhe reagime të shpejta në të dyja anët e fushës.


Mbyllet pjesa e parë në “Ullevi”, Kosova shkon në pushim me epërsi ndaj Suedisë

Pas 45 minutash dramatike në “Nya Ullevi”, suedezët dominuan lojën në fillim dhe krijuan disa raste të rrezikshme, përfshirë një gjuajtje shumë serioze të Alexander Isak në minutën e 10-të, ku portieri Aro Muric shpëtoi ekipin nga një gol i sigurt.

Megjithatë, Dardanët arritën të përgjigjen dhe në minutën e 33-të, Fisnik Asllani shënoi golin që i dha Kosovës avantazhin e parë në këtë përballje. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të Kosovës, ndërsa suedezët kërkojnë rikthimin në pjesën e dytë.


GOOOOOL, Kosova në epërsi

Kosova merr avantazhin ndaj Suedisë, Fisnik Asllani shënon në minutën e 31-të.


​Nis ndeshja Suedi – Kosovë

Ka nisur në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut përballja mes Suedisë dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026. Atmosfera në stadium është e zjarrtë, me rreth 37 mijë tifozë suedezë që kanë mbushur shkallët e impiantit për ta përkrahur përfaqësuesen e tyre, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tifozëve dardanë, rreth 9 mijë janë të pranishëm për ta mbështetur Kosovën.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda kërkon rezultat pozitiv pas barazimit të arritur ndaj Sllovenisë, ndërsa sonte përballet me një kundërshtar të fortë që po lufton për rikthimin në garë.

Në Goteborg sonte pritet një duel i fortë dhe emocional, ku Kosova synon të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj.


Dardanët pritet të zhvillojnë ndeshjen para rreth 37 mijë tifozëve në Ullevi

Kombëtaren e Kosovës sonte e pret një atmosferë e zjarrtë në Göteborg, ku përballet me Suedinë në stadiumin “Ullevi”, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

Federata e Futbollit të Suedisë ka njoftuar se të gjitha biletat për këtë sfidë janë shitur, dhe stadiumi me kapacitet rreth 37 mijë vendesh pritet të jetë i mbushur deri në fund.

Tifozët suedezë janë përgatitur për ta përkrahur fuqishëm ekipin e tyre, ndërsa “Dardanët” do të përballen me një ambient të zjarrtë dhe me presion të madh nga tribunat.

Ndeshja, që zhvillohet në “Nya Ullevi” me fillim nga ora 20:45, është vendimtare për të dy kombëtaret në garën për pozitat kualifikuese në grup.

Kosova kërkon një tjetër rezultat pozitiv pas barazimit ndaj Sllovenisë, ndërsa Suedia synon të rikthehet te fitorja para tifozëve të saj të shumtë.

 


​Arbër Zeneli i pranishëm në sfidën Suedi – Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dërguar një mesazh motivues përpara ndeshjes së sotme të Kombëtares së Kosovës kundër Suedisë, duke vlerësuar praninë e futbollistit Arbër Zeneli në mbështetje të skuadrës.

“Kombëtarja jonë është ndërtuar mbi talentin dhe përkushtimin e futbollistëve si Arbër Zeneli. Kënaqësi që ai sonte është pranë ekipit për ta përkrahur nga tribunat. Gjithmonë me zemër për Kosovën, brenda dhe jashtë fushës. Shpresojmë që sonte ta kemi edhe fatin në anën tonë”, ka shkruar Ademi.

Ky mesazh vjen pak para ndeshjes së rëndësishme në “Nya Ullevi” të Goteborgut, ku dardanët kërkojnë një rezultat pozitiv ndaj Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.


Dardanët gati për përballjen me Suedinë – dalin formacionet zyrtare

Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë për ndeshjen e dytë të tetorit, ku do të përballet me Suedinë në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut, me fillim nga ora 20:45.

Pas barazimit të vlefshëm ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, Dardanët udhëtojnë drejt Skandinavisë me besim dhe synim për të ruajtur ritmin pozitiv në Grupin K të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Në anën tjetër, Suedia ndodhet në një periudhë të vështirë. Kombëtarja nordike ka grumbulluar vetëm një pikë në tre ndeshjet e para dhe do të kërkojë me ngulm fitoren e parë për të ringjallur shpresat e saj.

Kosova, me një fitore, një barazim dhe një humbje në tri sfidat e para, shkon në Goteborg me moral të lartë dhe objektivin për të marrë sërish rezultat pozitiv.

Një numër i madh tifozësh shqiptarë pritet të jenë prezent në shkallët e stadiumit për të krijuar atmosferë elektrizuese dhe për t’i dhënë mbështetje maksimale Dardanëve në këtë sfidë të rëndësishme.

Këto janë formacionet zyrtare:

Suedia: Johanson, Lagerbielke, Hien, Lindelof, Bernhard, Bergvall, Ayari, Svensson, Gudmunsen, Gyokeres, Isak

Kosova: Muric, Gallapeni, Hajrizi, Hajdari, Krasniqi, Vojvoda, Avdullahu, Hoxha, Muslija, Muriqi, Asllani

Back to top button