Dardanët U17 pësuan humbje edhe nga Polonia

Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbyllur me tri humbje fazën “Elite Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian, që mbahet muajin e ardhshëm në Izrael.
Pas humbjeve nga Ukraina dhe Italia, djelmoshat e drejtuar nga Arsim Abazi kanë pësuar humbje me rezultat të ngushtë edhe nga Polonia – 2:1. Dardanët U17 e kanë nisur vrullshëm ndeshjen kundër Polonisë dhe pas sulmeve të pareshtura drejt portës polake, ku arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 30-të me golin e realizuar nga Elton Krasniqi. Polakët kanë tentuar shumë herë gjatë kësaj pjese për të barazuar shifrat, por pa sukses.
Në pjesën e dytë ishte një paraqitje krejt ndryshe e polakëve, të konsoliduar dhe më të përqendruar drejt portës së Gjokajt. Në minutën e 59-të, polakët kanë goditur shtyllën pingule të majtë të Gjokajt, derisa topin e dëbuar Smilgewvski e ka dërguar në rrjetë dhe rezultati u barazua në 1:1.
Në minutën e 86-të, Gjokaj ka ndërhyrë në mënyrë të palejueshme, ndërsa nga pika e bardhë Terlecki ishte i saktë për rezultatin 2:1, në të mirë të Polonisë.
“Mendoj se luajtëm mirë dhe djemtë u angazhuan mjaft. Krijuam disa raste dhe kemi mundur të fitojmë qysh në pjesën e parë sipas rasteve që patëm. Por, polakët, nga dy raste arritën të shënojnë, madje njëherë nga pika e bardhë. Unë edhe njëherë i përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe karakterin por ky është futbolli jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë”, ka thënë pas ndeshjes përzgjedhësi Arsim Abazi./21Media

Back to top button