DASH është në dijeni, por s’e komenton incidentin me presidenten e Kosovës në Aeroportin e Shkupit
-Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë hetimet që janë duke u zhvilluar, deklaruan nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, në pyetjen nëse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi politike për incidentin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani javën e kaluar në Aeroportin e Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me herët njoftoi se “shefi i sigurimit të Gashit, me dy anëtarë të tjerë të ekipit, me urdhër të kryeparlamentarit, kanë shkuar para VIP sallës në Aeroport, kanë repetuar armën dhe kanë pasur konflikt me policët e stacionuar aty, duke kërkuar përgjigje se pse është insistuar që presidentja e Kosovës të kalojë përmes kontrollit të sigurisë në aeroport”.
Gashi tha se ka dërguar sigurimin për të qetësuar situatën.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e cilësoi ngjarjen në Aeroportin e Shkupit “trajtim të papërshtatshëm dhe të paligjshëm nga pjesëtarët e sigurimit të Aeroportit” ndaj Osmanit.
Grupacioni TAV kumtoi se kontrolli i presidentes së Kosovës ishte “në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloret ligjore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë e aviacionit civil”.
Për këtë incident dhe për disa arsye të tjera, opozita kërkon largimin e Gashit, kurse “E Majta” ka parashtruar një interpelancë për punën e tij.
Sipas koalicionit “VLEN”, nga vjen Gashi, kërkesën për interpelancën e tij e kanë vlerësuar si eksperiment kundër NATO-s.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet, nga ana tjetër, konsideron se nuk ka nevojë për ndërrim të kryetarit të Kuvendit, sepse përgjegjësia është lokalizuar dhe institucionet kanë marrë masa të menjëhershme.
Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB e ka suspenduar shefin e sigurimit dhe ka hapur procedurë ndaj dy policëve të tjerë, ndërsa i pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për Gashin, kryeministri Hristijan Mickoski është përgjigjur se askush nuk është mbi ligjin.