Debat i ashpër për buxhetin e Prishtinës, LVV kritikon mungesën e Përparim Ramës

Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke diskutuar për projekt-buxhetin për vitin 2026. Megjithëse kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, nuk ishte prezent, ky buxhet rreth 150 milionë eurosh u konsiderua si transformues i Prishtinës. Mirëpo, i njëjti u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa u tha se rritja e buxhetit është falë nivelit qendror.
Drejtoresha e Financave, Valbona Ahmeti-Makolli, tha se në projekt-buxhet janë paraparë mbi 60 milionë euro për investime kapitale, derisa përmendi projektet që, sipas saj, do të përfundojnë brenda këtij viti fiskal.
“Propozim-buxheti për vitin 2026 është hartuar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe strategjinë zhvillimore komunale, dhe duke u bazuar në qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave. I gjithë buxheti i kryeqytetit është i ndarë në pesë kategori ekonomike, sipas të cilave: në kategorinë e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro, kategoria e mallrave dhe shërbimeve ka vlerën 32 milionë, shpenzimet e komunaleve 3.5 milionë, subvencione dhe transfere 6 milionë dhe investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në versionin e transformimit të kryeqytetit, duke filluar nga projektet e mëdha që shumica janë në implementim dhe disa janë në përfundim. Vlen të theksohet se ndër projektet më të mëdha që do të përmbyllen në këtë vit fiskal janë projekti i Xhorxh Bushit, Rruga A, projekti i nënkalimit Agim Ramadani, unaza e brendshme, ishulli urban”, tha ajo.
Kritika karshi këtij buxheti adresoi shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, madje ai tha se është papërgjegjësi e madhe mungesa e kryetarit Përparim Rama në seancën komunale.
Ai kritikoi edhe PDK-në se po i shërben Përparim Ramës.
“Është jashtëzakonisht e papranueshme dhe tregon papërgjegjësi të madhe mungesa e kryetarit të Prishtinës në këtë seancë. Duhet treguar për hir të opinionit se bashkë me PDK-në, gjatë mandatit të kaluar, shumë seanca të buxhetit i kemi dështuar pikërisht për shkak të mungesës së kryetarit Rama. Kryetari Rama nuk është këtu, rrethanat nuk kanë ndryshuar, por ka ndryshuar PDK-ja. Kjo rritje është produkt i rritjes së buxhetit të shtetit në nivel qendror dhe meritë e politikave fiskale të rishpërndarjes së Qeverisë së Kosovës. Në asnjë mundësi dhe variant të qeverisjes lokale…Është alarmante se tri projekte kryesore janë me probleme ligjore dhe që janë objekt trajtimi nga organet e drejtësisë. Po flasim për sheshin Xhorxh Bush, për lidhjen e Arbërisë me qendrën dhe tunelin në rrugën Agim Ramadani”, theksoi ai.
Të dobët dhe jo gjithëpërfshirës buxhetin e konsideroi edhe asamblisti nga radhët e Listës Guxo, Jeton Mehmeti.
“Prishtina nuk është vetëm sheshi Xhorxh Bush, platformat urbane dhe ishulli urban. Prishtina është edhe Marevci, Grashtica, Hajvalia, Mramori dhe zonat e Gollakut”, deklaroi ai.
Ndërkaq, përkrahje buxhetit i dhanë Lidhja Demokratike e Kosovës, Lidhja për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate./kp