Deklarohet Kurti, thotë se propozoi një draft-vizion që rregullon çështjen e pakicave

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Albin Kurti pas takimi në Bruksel tha se  draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues në takimin me presidentin serb, ka qenë fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.

Më tej Kurti tregoi se ka propozuar një draft të cilin ai e ka quajtur “draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

“Në këtë takim pas marrëveshjes [për të pagjeturit ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pas dhamë qëndrimi tonë se një draft i tillë çfarë dëgjuam e lexuam është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj ne do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Me këtë rast unë propozova një draft vizion si kryeministër përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Gjithsej në 10+1 pika kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”.

Borrell: Palët kanë ndërmarrë një hap drejt themelimit të Asociacionit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar sot në Bruksel nuk është final, por vetëm do të shërbejë si pikë fillestare për negociata të mëtejshme.

Pas takimit Kurti-Vuçiq, Borrell në konferencë për medie, tha se palët janë me qëndrime të ndryshme për Asociacionin.

E dyta që është e rëndësishme, palët morën një hap të rëndësishëm simbolik drejt themelimit të Asociacionit të dakorduar 10 vjet më parë. Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës më në fund prenzatuan për palët draftin e parë, nuk është i fundit. Është pikë filluese. Është në vijë me nenin 7 të marrëveshjes së re. Prezantimi i draftit e bën pjesë të rëndësishme takimin. E përshëndes faktin që drafti është ofruar. Kurti ndau mendimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë, e siç pritet pikpamjet e palëve janë dukshëm larg në natyrën se si duhet të jetë Asociacioni. Nuk prisja diçka tjetër, e dija që palët kanë mendim të ndryshëm për natyrën e Asociacionit. Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt. Duke marrë këtë draftin e parë si hapin e parë të diskutimit. I bëjë thirrje të dyja palëve të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive e frymë të mirë, të jnë të gatshëm për kompromis. Procesi të drejtohet nga marrëveshjet e kaluara në dialog, e të inspirohet nga praktikat e mira e modele të mira në Evropë, kemi shumë raste të asociacioneve, natyra të shumta. Në çdo shtet gjen model e do të shqyrtohen gjatë negociatave. Do të lehtësojmë procesin për të arritur marrëveshje finale, duke folluar nga drafti i prezantuar sot”, tha Borrell.

“Shpreha brengën e madhe sa i përket gjendes në veri pas zgjedhjeve të fundit me një shkallë të ulët të daljes në zgjedhje. Duke marrë parasysh këtë shkallë, këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate. Ndoshta e kundërta, kanë potencial që të çojnë drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kjo nuk është ajo që duam. Askush të mos e dojë këtë, është megjithatë rrezik i madh. Kam inkurajuar palët të gjejnë zgjidhje që u mundëson serbëve të kthehen në institucionet që i kanë braktisur”., shtoi ai.

Përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka përfunduar takimimes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Në këtë takim, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, tekstin e të cilës e ka publikuar vetë BE-ja pas dakordim.

Ndërkohë u prezantua edhe draft-statuti për Asociacionin, mirëpo nga kjo pikë nuk janë deklaruar ende.

Borrell deklarohet për dakordimin e Kurtit e Vuçiqit për Deklaratën e të Zhdukurve

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka thënë se BE-ja mirëpret miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Pas miratimit, Borell ka thënë se dy palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për “detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja…pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.

Ai ka shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit të saj do të monitorojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me këtë çështje.

Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e përbashkët në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë se presin që palët “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

Borrell deklarohet për media pas takimit Kurti- Vuçiq

Takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i thirrur nga Josep Borrell do të fillojë në ora 18:00 me orën lokale atje, dhe 19:00 në Kosovë

Kështu ka bërë të ditur në faqen zyrtare, Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme.

Pjesë e këtij takimi të nivelit të lartë do të jenë edhe I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim do të diskutohetn dy tema, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Deklarata për Personat e Zhdukur./21Media

Back to top button