Delawie: Të “pakujdesshme” deklaratat për bashkimin Kosovë-Shqipëri

”Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla”

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie i ka cilësuar të “pakujdesshme” deklaratat për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Qeveria amerikane e mbështet sovranitetin edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla, të cilat minojnë qëndrueshmërinë në rajon”, ka thënë Delawie për REL.

Ambasadori amerikan ka reaguar pas intervistës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ”Politico”, ku tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë.

Lidhur me këtë, presidenti Hashim Thaçi, tha për REL se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”. Ndërsa, kryeminstri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje, përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, që të mos dalin në opinion me deklarata për nevojën që shqiptarët e rajonit të krijojnë shtetin e përbashkët, nëse ndalet procesi i integrimeve evropiane.

 

 

Back to top button