Deliu: Presidente, dilni kërkoni falje

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një aksion simbolik nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat vendosën pankartat me mbishkrimet “Voto për trustin”. Ata këto mbishkrime i vendosen te foltorja e Kuvendit dhe ulëset e ministrave dhe kryeministrit.
E deri ndodhi ky aksion në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu u shpreh se qytetarëve po u faturohet energjia elektrike me çmime të shtrenjta përkundër vendimeve të gjykatës të cilat ZRRE nuk po i respekton.
“Ky bord i papërgjegjshëm dhe joprofesional i përzgjedhur nga qeveria e Albin Kurtit dhe i zgjedhur në këtë Kuvend nga kjo shumicë parlamentare në vend që urgjent të zbatojë vendimet e dy gjykatave, ata kanë vendosur që të abuzojnë me detyrën zyrtare me të vetmin qëllim që t’u krijojnë përfitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve për dy kompanitë private që janë KEDS dhe KESCO…..Vendimin e kontestuar të ZRRE-së, e ka shtyrë gjykata, prandaj nuk ka vendim të tillë të ZRRE-së, kjo e fundit duhet t’i kthejë tarifat e lira të energjisë elektrike e ky do të duhej të ishte zbatimi më i drejtë dhe më i duhur i vendimit të gjykatës”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së i bëri thirrje presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të kërkojë falje dhe të jap sqarime rreth tarifave të shtrenjta të cilat i ka pezulluar edhe Gjykata e Apelit.
“Kërkoj që të deklarohet presidentja lidhur me mos zbatimin e dy vendimeve të gjykatave nga ana e ZRRE pasi njëra nga kompetencat kryesore është sigurimi i funksionimit demokratik të institucioneve…..sot presidentja duhet të dal dhe të kërkoj falje para qytetarëve. Zonja presidente ju me Kushtetutë përfaqësoni unitetin e popullit prandaj dilni para popullit dhe jepni sqarime para tij se për njerëzit e pushtetit juaj ligji nuk vlen, se si ata janë mbi ligjin dhe se si ata nuk i zbatojnë vendimet e gjykatave të Kosovës se si ju i keni mbyllur sytë dhe veshët para kësaj padrejtësie që po u ndodh qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo./21Media

Back to top button