Demarkacioni një turp apo domosdoshmëri

Demarkacioni ishte tema ku vazhdojnë mospajtimet në mes pozitës dhe opozitës

Java fillojë me kundërshtimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës, pastaj u tha se qytetarët nuk besojnë në dialogun Kosovë-Serbi. E derisa Kosova festoi lirimin e Ramush Haradinajt, demarkacioni ishte tema ku vazhdojnë mospajtimet në mes pozitës dhe opozitës.

Java filloi me shqetësimin e Odës së Avokatëve të Kosovës lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka pezulluar rregulloren e nxjerrë nga OEK-u, për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli tha se OAK-u i bënë thirrje Qeverisë që në mbledhjen e radhës ta shqyrtoj dhe tërheq vendimin e marrë.

“Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh indinjatën e saj të thellë me vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila duke marrë për bazë nenin 44 të ligjit të Avokatisë, ka pezulluar të njëjtin. Që kur ekzistojnë dhe janë formuar institucionet e Kosovës, është hera e parë që një Qeveri, interferon dhe cenon pavarësinë e OAK-ut si një institucion i pavarur. Pavarësia e OAK-ut është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ekzekutivi përmes këtij vendimi ka interferuar në mënyrë direkte në bashkëpunimin tashmë të krijuar mes KGJ-së, KPK-së, PK-së dhe OAK-ut dhe ka ndikuar në uljen e kualitetit të përfaqësimit sipas detyrës zyrtare të palëve në procedurë”….. “Pasojat e dëmshme të këtij vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës janë evidente duke marrë për bazë edhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 24 nëntor 2016 në departamentin për çështje administrative, me të cilin është refuzuar caktimi i masës së përkohshme, pezullimi i ekzekutimit të kësaj rregulloreje, vendim ky i vërtetuar nga Gjykata e Apelit më datë 12 janar 2017, me këtë rast vendimi i Qeverisë bie ndesh me vendimet gjyqësore. Kjo paraqet ndërhyrje të Qeverisë në sistemin gjyqësorë…Me këtë rast OAK-u i bënë thirrje Qeverisë që në mbledhjen e radhës ta shqyrtoj dhe tërheq vendimin e marrë”, theksoi ai.

Kurse, të martën u publikua një sondazh nga KDI-, sipas së cilit qytetarët e Kosovës nuk besojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë në shuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sipas qytetarëve do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.

“KDI ka pyetur se si e shohin ata AKS-në dhe në bazë të gjeturave janë 46.1 për qind e qytetarëve që e shohin që formimi i AKS-së do të përkeqësojë raportet ndëretnike. Ndërsa kemi 38.8 për qind mendojnë se edhe pas themelimit të AKS-së do të mbesin të njëjta”… “Ajo çfarë ne shohim si KDI në bazë të këtij sondazhi kur janë pyetur qytetarët pas gjashtë vite dialog nëse ata vlerësojnë se janë shuar strukturat paralele, shohim se janë 48.2 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se nuk janë shuar strukturat paralele”….“Shuarja e strukturave paralele është ndërlidhur edhe me shtrirjen e sovranitetit të vendit. Edhe pas shpalljes së pavarësisë Kosova ende nuk e ka sovranitetin e shtrirë, legjitim dhe Kosova dhe institucionet e saj nuk janë duke vepruar në tërë territorin e vendit, në veçanti në veri. Ne kemi pyetur qytetarët se si e shohin shtrirjen e sovranitetit pas gjashtë vjet dialogu shohim se janà « 51.1 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se edhe pas gjashtë vjet dialogu Kosova nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin në veri të vendit”, tha Jeta Krasniqi nga KDI-ja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur kritikave të zyrtarëve të BE-së, të cilët deklarimet e presidentit Thaçi për bashkim kombëtar i kanë quajtur kërcënim për BE-në, ka thënë të mërkurën se kërcënim për BE është nacionalizmi serb e jo deklaratat e tij. Ndërsa, deklaratat e zyrtarëve të BE-së, i quajti bajate dhe të gërditshme.

Thaçi foli edhe për mundësin e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, ku tha se kjo mbetet në vullnetin e partive politike.

“Unë si president i vendit  punoj sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas opinioneve ditore apo politikave të partive politike,  e çfarëdo partie politike qoftë. Prandaj, e ndjej obligim kushtetues, ligjor dhe politik, që të ftoj vëzhguesit evropianë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Është një ftesë në kohë të duhur që dhe autoritetet e BE-së dhe gjithë mekanizimi tjetër mbështetës, të përgatitet për këtë proces të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera, mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, unë respektoj Kushtetutën e vendit, mandatin e plotë të kushtetuesve ligjor. Është në vullnetin e partive politike, nëse duan zgjedhje të parakohshme, unë do të respektoj marrëveshjen e partive politike dhe natyrisht se do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese”, tha ai.

Po në të njëjtën  ditë, Marti Ahtisari porositi politikanët kosovarë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdohet pa humbur kohë dhe se ai nuk duhet shpërfillur.

“Kanë kaluar 10 vjet që kur kam prezantuar propozimin gjithëpërfshirës,  për zgjidhjen e statusit të Kosovës,  i cili ka bërë një rrugëtim mjaftë të gjatë dhe Kosova është ne rrugën e integrimit evropian. E përgëzoj Kosovën për  lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimin me BE-në, por rruga para juve është mjaftë e gjatë. Dhe këtu duhet një lidership i urtë dhe me vendosmëri , që t’i garantojë qytetarëve të Kosovës,  posaçërisht të rinjve një të ardhme të ndritur. Theksoj rëndësinë e dialogut dhe marrëdhëniet  e mira me fqinjët dhe sundimi i ligjit si dhe rëndësia e tij për një shoqëri multi-etnike. Kushtetuta e Kosovën ngërthen parimin e barazisë dhe shoqërinë multi-etnike dhe kjo e drejtë duhet të garantohet në praktikë dhe në sundimin e ligjit. Vijat kufitare nuk janë fare me rëndësi,  në raport me sundimin e ligjit.  Dialogu me vendet fqinje është e vetmja mënyrë, për të shkuar përpara. Nuk duhet të humbasim kohë dhe dialogu nuk duhet të shpërfillet. Mos humbisni kohë por vazhdoni dialogun”, tha ai.

Kurse, dita e enjte, ishte ditë feste në Kosovë. Kjo pasi Gjykata në Francë morri vendim për lirimin e Ramush Haradinajt.

“Sot është një ditë e madhe, një ditë e drejtësisë për Ramush Haradinaj. Një e mirë për shtetin e Kosovës dhe një e mirë për ushtrinë e Kosovës UÇK në që ka luftuar dhe ka bërë luftë të pastër dhe këtë e dëshmoj komandanti Haradinaj. Por ajo që vlen të theksohet më në fund triumfoj drejtësia. Haradinaj do t’i kthehet familjes, do t’i kthehet Kosovës dhe e presin shumë punë për të marrë përgjegjësi. Jemi mjaftë të gëzuar për një fakt që më të vërtetë Ramushit iu ka bërë mjaftë e padrejtë, por në fund përfundimisht përfundoi pozitivisht…triumfoi e drejta, triumfoi pastërtia e luftës dhe triumfoi shteti i Kosovës”, tha ai.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj  për lirimin e Ramush Haradinajt tha se  më në fund një lajm të mirë, i cili besojmë ne jo vetëm që e ka lehtësuar, e ka shpëtuar z. Haradinaj, familjen e tij dhe AAK-në, mirëpo e ka lehtësuar, e ka shpëtuar realisht dhe popullin e Kosovës dhe vet Kosovën.

“Sot po dalim para jush me një arsye të fuqishme. Më në fund një lajm të mirë, i cili besojmë ne jo vetëm që e ka lehtësuar, e ka shpëtuar z. Haradinaj, familjen e tij dhe AAK-në, mirëpo e ka lehtësuar, e ka shpëtuar realisht dhe popullin e Kosovës dhe vet Kosovën. Një vendim logjik sot i autoriteteve franceze të drejtësisë është një mesazh i fortë, që armiqtë e Kosovës, sado të fortë që janë është pothuajse e pamundur që ta gjunjëzojnë një popull. Popullin që gjatë gjithë kësaj kohe ishte në mbështetje të z. Haradinaj…Pritja do të jetë qytetare, popullore, jo qeveritare. Këtë herë nuk ka tepih të kuq, këtë herë nuk do të mund të përfitoj askush nga rasti Haradinaj. Ka ndodh njëherë që e kanë keqpërdorur dhe këtë herë z. Haradinaj do të pritet nga qytetarët e Kosovës, nga bashkëluftëtarët e tij, nga ata që e duan, nga populli që i është gëzuar. Besojmë lirimit të tij dhe vendimit të sotëm, nuk do të ketë pritje politike qeveritare”, tha ai.

E qytetarët ia kishin mësyrë AAK së për të festuar lirimin e Haradinajt. Erald Selca shprehet tejet i gëzuar për lirimin e Haradinajt.

“Ramush  Haradinaj dihet që është komandant legjendar i UÇK së. Nëse komandanti legjendar i ndjerë i rënë në betejat e frontit kundër Jugosllavisë dhe Serbisë millosheviqiane është Adem Jashari, komandant legjendar i gjallë është Ramush Haradinaj. Gjithmonë triumfues nëpër beteja qoftë ushtarake, por dhe në beteja politike, gjyqësore, të montuara nga qarqet anti-shqiptare. E kemi pritur këtë lajm me gëzim. Ramushi nuk është Ramush, Kosovë qysh po i thonë këta shokët e mi. Por është Ramush Shqipërie. Është ikonë kombëtare e shqiptarëve”, tha ai.

Kurse, ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pasdite arriti në Aeroportin e Prishtinës, ku tha se asnjëherë nuk do t’i nënshtrohen cilido mekanizëm që burimin e ka në Beograd.

“E kam thënë që kërkesa ose ideja e ekstradimit tim për Serbi është ftesë për luftë, nuk jam tallur kur e kam thënë këtë. Më 24 mars 98, ata që kanë shefat e këtyre na kanë sulmuar në familje, ka pasur fëmijë, e qëllimi ka qenë epilogu i njëjtë si te Jasharët, atë ditë janë kthyer prapa, fati ka qenë i tillë, rastisi që më 24 mars 99 ia kemi kthyer në shtëpitë e tyre prej ajrit, gjithë jeta do të shkojë kështu. Asnjëherë nuk i nënshtrohemi cilido mekanizëm që burimin e ka në Beograd. Shqiptarët jo që janë trima ose të zot, ose që duan me u merr me të tjerët në rajon, por jemi në të drejtën tonë dhe kësaj të drejte do t’i qëndrojmë besnik. Kemi fqinjë që është armik, sillet armiqësisht, duhet të jemi të vendosur t’ia tregojmë vendin”, tha Haradinaj.

Ai në mbrëmje iu drejtua edhe qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Për fat të keq edhe njëherë si dikur u ndjeva pa shtet. Institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre. Por, po ju tregoj, e thashë hapur se ftesa ose ideja që unë me u ekstraduar në Serbi është thirrje për luftë. Pse kam thanë kështu? Nuk jam tallë as nuk kam bo hajgare, por e kam thanë përnjëmend. Më 24 mars 98, po këta, Vuçiqi, Daçiqi, babai i tyre Millosheviqi, e makina e tyre vrastare na ka sulmuar në familje në Gllogjan e aty kanë qenë edhe fëmijët e vegjël. Ka pasur fëmijë nën 1 vjet. Kanë provuar me na vra të gjithëve. Janë po këta njerëz.  Vucici, Dacici, baba i tyne Milloshi. Këta janë kriminelë, këta kanë bo krime në Kosovë. Fati i luftës e ka dashtë që atë ditë na mos me përfunduar si ata. Për këtë kam thanë që oshtë shpallje e luftës dhe për këtë kam thanë që ua bëjmë ma zi se në atë kohë,” tha Haradinaj.

Ndërsa, të premten Qeveria miratoi vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen edhe ofrimin e kujdesit social ndaj qytetarëve të saj dhe në veçanti të viktimave të dhunës seksuale.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen edhe ofrimin e kujdesit social ndaj qytetarëve të saj dhe në veçanti të viktimave të dhunës seksuale si një ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Konsideroj që themelimi i këtij komisioni sot nga Qeveria e Kosovës shënon datë të rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale. Sepse më në fund pas një periudhe të gjatë pas luftës, kjo kategori do të trajtohet si kategori e luftës çlirimtare të Kosovës. me funksionalizimin e këtij komisioni do të filloi dhe procesi i aplikimit dhe planifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe më pas edhe kompenzimi i tyre, duke filluar kështu dhe mbështetjen institucionale të munguar deri më tani për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë“, tha ai.

Haradinaj vazhdoi edhe të shtunën deklaratat kundër demarkacionit me Malin e Zi.

“Besoj se në LDK ka njerëz me integritet, deputetë që nuk do të lejojnë që një turp dhe një e keqe e madhe më i ardhë vendit, e kam fjalën për demarkacionin dhe tema tjera, pra shumë besoj se ka njerëz me integritet. Ashtu siç ka edhe tek partitë tjera në pushtet. Falënderoj deputetët e partive të opozitës, të komuniteteve po ashtu që kanë shprehur gatishmërinë që mos të lejoj të kaloj…besoj e dini, nuk ka ndryshuar”, tha Haradinaj.

Për demarkacioni fol edhe kryeministri Isa Mustafa.

“Po ne tash po bisedojmë me partnerë të koalicionit jo vetëm me PDK-në por edhe me subjektet tjera, duhet të takohemi edhe me Listën Serbe dhe të shohim se si janë gjasat të prezencës së tyre në Kuvend dhe të votimit. Do të thotë ne do të procedojmë në Kuvend në momentin që e kemi të sigurt që do ta kapërcejmë sepse natyrisht që nuk ka asnjë arsye që të shkojmë në Kuvend dhe të përsërisim shkuarjen në Kuvend. Për ne është me rëndësi të madhe ta ratifikohet dhe të bëhet liberalizimi për qytetarët”, tha Mustafa.

Mustafa tha se kërkuan nga Brukseli suspendimin e demarkacionit për një kohë

“Diçka të tillë kemi kërkuar edhe më parë, kam kërkuar edhe në Maltë kur kam qenë në kongresin e partive popullore sepse aty është i gjithë kreu i BE-së, kam kërkuar edhe tani në Bruksel, e kemi hapur edhe me ministrin e jashtëm të Gjermanisë na ka dhënë përkrahje, por ajo është një procedurë e veçantë e cila kërkon pajtimin individual të çdo shteti të BE-së. Është një procedurë që zgjat shumë për të cilin nuk mund asnjë prej komisionerëve se mund apo s’mund sepse nuk mund të fletë në emër të shteteve individuale. Por ajo që na është thënë në Bruksel është se ne duhet të bëjmë përpjekje të ratifikojmë në Kuvend dhe ta bëjmë liberalizimin në bazë të marrëveshjes”, theksoi Mustafa.

Back to top button