Dënohen zyrtarët policorë që keqtrajtuan një qytetar në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar komandantin e Stacionit Policor të Gjakovës K. Gj. dhe tre zyrtarët policor G. B., A. I. dhe M. U. me akuzat se kanë keqtrajtuar një të arrestuar në vitin 2018.
Komandanti K.Gj. është dënuar në kohëzgjatje prej 120 ditë, ndërsa me pëlqimin e të akuzuarit dënimi i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.
“I akuzuari K. Gj., duke qenë në pozitën e Komandantit në Stacionin Policor në Gjakovë, me datë 14.11.2018, rreth orës 02:55, në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar tani të dëmtuarin M. R. nga Prishtina, në atë që mënyrë që derisa i njëjti ishte i arrestuar dhe prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale (raporti policor: 2018 – EA – 1248 dhe 2018 – HRGJ – 60), e godet me grushte në dorë dhe fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Të akuzuarit G. B., A. I. dhe M. U. gjithashtu sipas Gjykatës gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, kanë keqtrajtuar M. R., në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale, me qëllim që të nxjerrin informacione, të dëmtuarin godasin me duar dhe këmbë në pjesë të ndryshme të trupit.
Të akuzuarit G. B. dhe A. I. janë dënuar me nga 90 ditë burgim, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës me pëlqimin e të akuzuarve, është zëvendësuar dënimin me burgim në dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë euro.
Ndërsa i akuzuari M. U. është gjykuar me 150 ditë burgim, i cili dënim është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë e 500 euro, ndërsa i akuzuari Sh. L. i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 90 ditë, i cili është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 700 euro.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sh. L. duke qenë në pozitën e përgjegjësitë për Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që rreth orës 04:24 u ka mundësuar të akuzuarve M. U., G. B. dhe A. I. të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M. R., ku të njëjtit e keqtrajtojnë, duke e sulmuar fizikisht.
Ndërkohë Gjykata ka liruar nga akuzat B. P. për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”./21Media
Back to top button