Dënohet me 1 mijë € gjobë, akuzohet se dogji flamurit serb në Gjakovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një mijë euro gjobë të akuzuarin Petrit Luzha, për akuzën se ka nxitur përçarje dhe mosdurim, kur në bashkëkryerje me dy persona të paidentifikuar, në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, e kishin djegur flamurin serb.

Vendimi është marrë pasi i akuzuari ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale.

Gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi tha se Luzha dënohet me gjashtë muaj burgim, por i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet në dënim me gjobë prej një mijë euro dhe atë me të drejtë pagese në pesë këste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykatësi Krasniqi tha se në rast të mospagesës së dënimit me gjobë nga i akuzuari Luzha, i njëjti do t’i shëndërrohet në burgim, ku për një ditë burgimi do t’i llogaritet 20 euro.

Në fund, gjykatësi njoftoi palët për të drejtën e ankesës, pasi që vendimi të pranohet me shkrim.

Paraprakisht, prokurori special, Bekim Kodraliu tha se qëndron në tërësi pranë marrëveshjes për pranim të fajësisë dhe se e njëjta është lidhur pas autorizimit të kryeprokurorit, Blerim Isufaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Luzha, avokati Bardh Maksuti deklaroi se klientit të tij i ka sqaruar të gjitha benifitet dhe pasojat para lidhjes së marrëveshjes për pranim të fajësisë.
Avokati kërkoi nga Gjykata që dënimi me gjobë të jetë më i butë, marrë parasysh gjendjen e dobët ekonomike të Luzhës dhe se është mbajtës i familjes.

“Kërkojmë nga gjykata të marrë parasysh rrethanat lehtësuese siç janë: i njëjti në fazën fillestare të procedurës e ka pranuar veprën penale duke treguar pendim, njëherit të vlerësojë rrethanat të cilat kanë të bëjnë me padënueshmërinë e mëparshme të të akuzuarit, se është i gjendjes së varfër ekonomike, njëherit sjelljet pas kryerjes së veprës penale dhe premtimin e tij se nuk do të bjerë ndesh me ligjin në të ardhmen, është baba i dy fëmijëve, mbajtës i vetëm i familjes, jeton me një shtëpi me qera”, deklaroi avokati Maksuti.

Vetë Luzha tha se pendohet për atë veprim që e ka ndërmarrë dhe duke kërkuar nga Gjykata dënim më të butë, duke shtuar se është mbajtës i familjes dhe se ka gjendje të dobët ekonomike.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 21 nëntor 2024, thuhet se më 23 tetor 2022 rreth orës 18:00 në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, Petrit Luzha në bashkëkryerje me dy persona të paidentifikuar deri më tani, me qëlllim të nxitjes, përçarjes, urrejtjes dhe mosdurimit midis grupeve etnike në Kosovë, gjatë zhvillimit të ndeshjes basketbollistike në mes të Klubit Basketbollistik “Vllaznimi”dhe klubit “Trepça”, ia kishin vënë flakën flamurit kombëtar të Serbisë.

Aktakuza thotë se Luzha ia kishte ofruar ndezësen personit të dyshuarit N.N., me qëllim që t’ia vë flakën flamurit serb dhe së bashku me një person tjetër të paidentifikuar deri më tani, e kishin mbajtur lart derisa ishte djegur i tëri.

Prandaj, për këto veprime Luzha akuzohej se publikisht ka nxitur urrejtjen midis grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga nenin 141, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Back to top button