Dënohet me 2 mijë euro gjobë mërgimtari që kanosi deputetin, Avdullah Hoti

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sadiku, u shpall të martën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë do t’ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

I njëjti obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.

I dëmtuari në këtë rast deputeti Abdullah Hoti nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.


Mërgimtari i kërkon falje Hotit për kanosje: Je i pari që më solle këtu

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën pas përfundimit të seancës fillestare, i akuzuari Reshat Sadiku u afrua pranë deputetit Avdullah Hoti dhe i kërkoi falje për kanosjen që ia kishte bërë në rrjetin social “Facebook”.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.

I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime.

“Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.

Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore.

“Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti.

I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka./Betimi për Drejtësi

Back to top button